September 23, 2014

ekuiliber.com ...Ditë më parë në dyert e Manastirit të Deçanit ishte shkruar nga persona të panjohur një grafit me shkronjat UÇK dhe reagimi i Serbisë, institucioneve vendore dhe diplomatëve ndërkombëtarë në Kosovë ishte i menjëhershëm. Sipas Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut është një rregull që para se të reagohet apo adresohet qartë përgjegjësia duhet të përfundojnë hetimet e organeve kompetente.

Në Kosovë këto reagime të krerëve të institucioneve vendore kushtëzohen shkaku se ambasadorët me ndikim të madh në Kosovë i paraprijnë këtyre reagimeve.

“Reagimet llogariten si politike por nëse kemi parasysh faktin se politike në Kosovë është vet drejtësia, hetimi, gjykimi dhe dënimi atëherë bëhet një paragjykim i rastit i bazuar kryesisht në motive etnike. Provokimet dhe dhuna duhet të gjykohen në përgjithësi ndërsa dhuna ndaj pakicave (si pjesë më e ndjeshme e shoqërisë) trajtohen në veçanti. Me reagimet e ngutshme dhe pa filluar hetimet vetëm sa dëmtohet hetimi por edhe raportet ndëretnike. Për shkronjat UÇK në Manastirin e Deçanit Serbia mbase u ankua edhe në OKB dhe sigurisht se në mbledhjen e radhës së Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara kur do të raportohet për Kosovën do të diskutohet edhe për këto tri shkronja. I menjëhershëm ishte reagimi i ambasadores Jacobson, ambasadorit Cliff, ambasadorit të OSBE-së. Ishte shumë i shpejtë edhe reagimi i “zëdhënëses” së KMDLNj-së (deri më tash) presidentes Atifete Jahjaga!”, thuhet në reagimin e KMDLNJ-së.

Jo fort moti, përkatësisht ditë më parë “shtegtarët e liberalizimit të vizave” në rrugëtimin e tyre nga Gjilani në Bruksel në një pelegrinazh sensibilizues u rrahën keq gjatë kalimit nëpër Graçanicë. Ishte kjo rrahje e ndihmuar edhe shkaku se Policia e Kosovës e cila i “shoqëronte” haxhilerët e Gjilanit nuk i mori në mbrojtje nga “qytetarët serbë të Graçanicës” që u “provokuan nga shqiptarët” sipas kryetarit të Graçanicës nga “Lista Srpska – Ivica Daçiq”.

“Ishte edhe shumë më keq se për këtë dhunë ndaj ‘shtegtarëve tëliberalizimit të vizave’ nuk reaguan fare as ambasadorja Jacobson, ambasadori Cliff, ambasadori i OSBE-së e sidomos ish “zëdhënësja” e KMDLNj-së presidentja Atifete Jahjaga e cila për shkak se po reagon duke diskriminuar njërën palë, pakicën shqiptare, e humb të drejtën që në të ardhmen të deklarohet në emër të KMDLNj-së. Është jashtë zakonisht i rëndë heshtja para këtij akti të dhunshëm ndaj pelegrinëve të Shengenit të Edita Tahirit dhe Vlora Çitakut ngase këta pelegrinë po e bëjnë punën që duhet ta bëjnë këto dy zonja…”, thuhet më tej në kumtesë.

Ndërkaq, sa i përket deklaratës së kryetarit të Graçanicës nga “Lista Srpska – Ivica Daçiq” se shqiptarët po provokojnë duke kaluar nëpër Graçanicë me famuj të Kosovës, të BE-së dhe një flamurth kombëtar duhet të bëhet një zgjidhje.

KMDLNJ fuqishëm e kundërshton mënyrën se si dënohen dhe gjykohen aktet e dhunës nga politikanët vendorë dhe ndërkombëtarë të cilët reagojnë me inercion dhe në mënyrë refleksive, duke i dëmtuar skajshmërisht të drejtat e njeriut si vlera elementare por edhe fundamentale të demokracisë.