Publikuar: 18 Jul , 2012

Feja si pasqyrë e vlerave kombëtare!

Islami dhe Krishtërimi – të dyja qendrojnë krah për krah, të kultivuara si mos më mirë dhe të zhvilluara drejt një progresi të vazhdueshëm për të prodhuar këtë që kemi sot: tolerancën dhe mirëkuptimin fetar. Shqipëria, një nga vendet unike për tolerancën dhe trashëgiminë fetare, zhvillon përtej kufijve të saj, duke zgjeruar gjithnjë e më shumë, traditat dhe doket fetare.

Feja është obligim. Ajo ruan ndjenjat më të larta për kombin, ku mes të tjerash urdhëron e thotë, që për atdheun jepet edhe jeta, si gjëja më e shtrenjtë te secili nga ne. Ky burim, feja, ngado rend do të gjendet pas teje, nëse ti e ke atë të kultivuar shpirtërisht brenda qenies tënde.

Kështu, edhe me ne shqiptarët. Jemi krenar që jemi shqiptarë dhe pas kësaj i lëmë vendin çështjes fetare, ku në këtë drejtim përsëri arrijmë të shprehim kulturën tonë të gjerë, duke pasqyruar qartë dhe bukur, sakrificat dhe përkushtimin tonë shpirtëror.

Shqiptarët, që në fillimet e viteve ’90, do të gjenin strehën e tyre, jashtë vendin mëmë. Jeta e vështirë, si fillim, kërkonte sakrifica të mëdha, të cilat edhe pse të jashtëzakonshme, nuk e larguan asnjëherë fenë nga përditshmëria jonë. Sot, ajo është më pranë se kurrë dhe një shembull e krenari kombëtare, që zgjon kureshtjen e mjaft të huajve. Kështu, ne emigrantët shqiptarë, në bashkëpunim të sinqertë me njëri-tjetrin, duke e trajtuar vllaun si vlla e motrën si motër, gjetëm solidaritetin dhe mirëkuptimin e duhur që të zhvillonimin më tej shërbesat tona fetare, si një fryt të mbarë dhe pjellë e shpirtit tonë. Këtu e 28 vite më përpara nga përpjekjat tona do të lindte: Bashkësia Islame “Ballkan”, e cila përbëhet nga muslimanët shqiptarë që jetojnë në Republikën e Maqedonisë, Kosovës, Shqipërisë, Malit të Zi dhe nga komunat e Preshevës, Bujanovcit dhe Medvegjës si dhe nga muslimanë të tjerë që jetojnë në vise të ndryshme të Gadishullit Ballkanik dhe se tre vitet e fundit janë shënuar edhe shtetas gjerman të konvertuar në fenë islame, disa nga të cilët e kanë pranuar fenë në qendrën tonë dhe tani janë mbështetës të denjë të Bashkësisë Islame “Ballkan”, e cila financohet nga anëtarët e saj.

Kjo qendër, edhe pse prioritet ka ruajtjen dhe zgjerimin e kultivimit të fesë islame, ndërmerr edhe inisiativa humanitare dhe në ndihmë të zhvillimit social, e mbi të gjitha të progresit dhe kulturës tradicionale shqiptare. Në këtë qendër mes të tjerash kemi: mësim besimi për mosha të ndryshme; kurse të gjuhës Shqipe dhe gjuhës Arabe, Gjermane, Angleze etj.; larje dhe falje xhenazesh, kurorëzime dhe ceremoni martesore, iftare, organizim mevludesh, seminare të ndryshme, kontribute financiare dhe ndihma për mjaft studentë të shkëlqyer etj.

Qendra e Bashkësisë Islame “Ballkan”, e cila është regjistruar sipas ligjeve të shtetit gjerman me 15 shkurt të vitit 1993 nga themeluesi i saj, imami i nderuar Jakup efendi Muhamedi me origjinë nga Shkupi, është nga qendrat më aktive në Gjermani dhe më gjerë, duke qenë edhe anëtare pranë Bashkësisë së Qendrave Islame Shqiptare në Gjermani (UZAID), duke pasur në veprimtarinë e saj të arkivuar mjaft tribuna, seminare dhe aktivitete të tjera fetare e sociale, duke e kthyer qendrën në një urë lidhëse të shqiptarëve mes tyre, muslimanëve ballkanas dhe kultivimit të gjuhës së artë shqipe.

Me ndihmën e UZAID përveç shtrimit të iftareve gjatë Muajit të Madhnueshëm Ramazan dhe organizimeve të lartpërmendura janë konkloduar edhe mjaft nisma me vullnetin tonë të sinqertë, ku vlen të përmenden ndihmat për qeveritë shqiptare dhe ndihmat në Shkodër nga përmbytjet e këtyre viteve të fundit. Gjithashtu, qendrat fetare po ndihmojnë studentët shqiptarë për lehtësira studimi në Gjermani dhe mjaft vende të tjera të Lindjes dhe të Perëndimit; ka dërguar për Haxh me kontributin e saj mjaft muslimanë; po ndihmon ndalimin e asimilimit të shqiptarëve dhe po ndërhyn në politikat qeveritare për t’i marrë në mbrojtje shqiptarët; po organizon manifestime, koncerte, aktivitete të larmishme kulturore etj.

Unioni i Qendrave Islame Shqiptare në Gjermani (UZAID), i cili ka 22 qendra të anëtarësuara me 40 mijë anëtarë dhe Bashkësia Islame Ballkan (BIB) kanë përjetuar në shpirtrat e tyre mjaft situata të pakëndshme, ku ka strehtuar dhe ndihmuar edhe financiarisht shumë shqiptarë, të cilët shpeshherë kanë marrë rrugat e mundishme të emigracionit; ka ndihmuar në ushqim dhe veshmbathje mjaft të endur rrugëve; mbledh dhe kuvendon çdo ditë së bashku me shqiptarët, për të disktuar mbi problemet e tyre jetësore; dërgon turistë dhe investime të huaja për në Shqipëri; lobon për turizmin e mrekullueshëm shqiptar dhe investon energji të mjafta për ruajtjen dhe zgjerimin e fesë islame në Ballkan dhe mbi të gjitha, kudo në trevat shqipfolëse.

Tani që edhe Muaji Ramazan po afron, qendra do të shtrojë si çdo vit iftaret e saj të përditshme; do të japë zekatë; do të dhurojë ndihmë për të pamundurit për të mbajtur agjërim; do të falë dhe do të japë për këdo që është në nevojë, duke sakrifikuar dhe përpjekur që “buka të jetë mbledhsja e shpirtit shqiptar”. Qoftë Muaji Ramazan një Muaj i Mirësive të mëdha, ku shqiptarët të jetojnë më mirë dhe së bashku në tokat e tyre në Ballkan! Dhe koha verore, të na gjejë me një elitë politike shqiptarë më të mirë, duke plotësuar nevojat e shumta të shoqërisë shqiptare dhe duke thelluar bashkëpunimin me qendrat tona islame që zhvillojnë veprimtarinë në Gjermani.
Autor:Besnik RAMA

 

some_text

Switch to our mobile site

Get Adobe Flash player