Paradokset dhe çmenduritë, garantuese të fuqishme të famës në shoqëri!!

Paradokset dhe çmenduritë, garantuese të fuqishme të famës në shoqëri!!

Njëra prej simptomave që sinjalizon për ulje të vetëdijes qytetare dhe degradim të saj, është edhe përpjekja që të paraqiten gjërat e çmendura e jonor

Mrekullia kuranore që dëfton për jetëgjatësinë-vdekjen e Pejgamberit a.s.
Viti 2018 – vit i rëndësishëm për Ballkanin
Pse nuk e duan Turqinë?

Njëra prej simptomave që sinjalizon për ulje të vetëdijes qytetare dhe degradim të saj, është edhe përpjekja që të paraqiten gjërat e çmendura e jonormale si vlera të çmueshme në shoqëri, apo si diç që duhet vlerësuar e pëlqyer edhe nga masat e gjera të shoqërisë. Është tejet absurde për një shoqëri, anëtarët e së cilës pretendojnë se kanë vetëdije të lartë dhe të bëhen prej mendjendriturve, që nga mesi i tyre të arrijnë të bëhen të famshëm vetëm ata që kanë “aftësi” të bëjnë gjëra paradoksale, apo edhe të çmendura, dhe që dinë e mundohen të dalin kundër frymës etike e tradicionale të popullit e vendit.  Thënë troç, të famshëm bëhen më së shpejti, vetëm ata që kanë kapacitete për të thyer kodin etik, fetar, e qytetar të popullit tonë.

S’duhet të vrojtosh gjatë për të kuptuar se këtu rruga e famës nuk kalon më pranë shkencës, dijes dhe avancimit intelektual. Ajo ka linjë tjetër, e domosdoshmërish se e tilla linjë edhe na shpie në një destincaion tjetër. Është e faktuar kjo, ngase shoqëria e jonë (një pjesë e madhe e saj e jo të gjithë natyrisht) kanë shumë mundësi që të mos njohin se cili shqiptar ka arritur ndonjë titull të lartë akademik në nivel ndërkombëtar, ose cili prej tyre ligjëron në disa universitete të lindjes ose perëndimit. Ka mundësi madje që të mos dihet se cili e ka bërë ndonjë zbulim shkencor, apo që ka fituar ndonjë çmim prestigjioz në nivel rajonal a ndërkombëtar. Këta të lartëpërmendurit, janë të “gjorë” ngase e kanë lodhur vetveten dhe kanë qenë në shërbim të shoqërisë dhe avancimit të saj, por ata fatëkeqësisht,  jetojnë në një kohë që fokusi i kamerave, tashmë nuk është tek ata. Ata kanë vetëm një faj, se nuk kanë bërë ndonjë absurditet social, apo ndonjë çmenduri interesante, me të cilat do të merreshin mediet, dhe vetëm si të tillë do të bëheshin emra të njohur e fytyrat e tyre, më pas, do të bëheshin publike. Emrat e tyre të “vegjël” kanë mbetur nën hijen e emrave ” të mëdhenjë” , kanë mbetur në terr tendencioz informativ, dhe nuk i kapin kurrsesi fokuset e kamerave tona.

Shikueshmëria më e madhe sot, qoftë në kanalet televizive, qoftë në faqet e ndryshme të interenetit nuk është më për programet ose faqet që promovojnë vlera, arsimore, etike, morale a shkencore. Të tillat mund edhe mos shiqohen fare, e ndoshta, pas një kohe edhe të mbyllen në tërësi për shkak se ishin “no sense”  shoqërinë tonë. Ato s’përbëjnë lajmin tek ne.

Rubrikat e portaleve që gjejnë hapsirë më të gjerë, e rrjedhimisht që lexohen më së shumti, janë ato që kujdesen të na i qesin në dritë sekuencat dhe detajet e jetës ” famoze”, e jo rrallë herë edhe të çmendur të njerëzve të muzikës, artit, skenografisë e në rastin më të mirë të atyre të sportit.  Këto kategori vlerësohen lartë dhe priten mjaftë mirë, edhe kur deklarohen se janë të mvarur nga narkotikët e ndryshëm, apo nga doza të rënda të alkoolit, e disa pse janë të gatshëm që të bëjnë ç’farëdo gjesti amoral  në vende publike, apo pse nuk e kanë problem që të promovohet komuniteti që ka prirje intimiteti ndaj të njejtës gjini e kështu me radhë.

Këta të fundit, munden që dy fjali të drejta të mos kenë mundësi t’i thurin në gjuhën amëtare shqipe, ngase mbërthehen që të bëjnë formulime fare pa shije me ndonjë fjalë të gjuhëve të huaj që e paskan mësuar, meqë e kanë nuhatur fare mirë, se edhe ashtu fjalitë e tilla sot marrin notë më të lartë se sa punimet e thella shkencore të bëra nga cilido akademik i yni.

Por, rrini të qetë, sepse, tek ne në konceptin hyjnor islam, kriteret e vlerësimit nuk qëndrojnë kështu. Një nga shumë citate kur’anor e vë në pah dallimin në formë të prerë në mes të kategorive të njerëzve, dallim që ndërtohet mbi vlera, e jo mbi privilegje të paqena apo diskriminuese ndaj ndonjërit. Krijuesi ynë na thotë:”… Thuaj: “Po si mund të jenë të barabartë ata që dinë dhe ata që nuk dinë?” Po, vetëm të zotët e mendjes marrin mësim”. Ez Zumer, 9.

Zoti i konsideron të dijshëm vetëm ata që janë të palodhur në kërkimin e dijes e shkencës, dhe që janë të thelluar në të, ngase të tillët janë më të denjët që ta njohin e ta besojnë Atë në formën e kërkuar, por dhe të njejtit janë më të mundshmit që të avancojnë porceset e vendit tonë.

Fatmirësisht, e dijmë se kriteret dhe standradet e vlerave në pikëpamjen njerëzore edhe mund të ndryshojnë, por në peshojen hyjnore, ato mbesin statike e të palëkundura.

Një shekull i ri ka edhe kërkesa të reja, dhe ato kërkesa jemi në gjendje t’i konceptojmë mirëfilli, por diskutimi bëhet vetëm në atë se ato kërkesat a janë duke u iniciuar nga shtresa intelektuale, dhe e ngritur e shoqërisë, apo nga dikush që ndryshimet ka dëshirë t’i përvijojë sipas shijes dhe pasioneve të veta!? Çuditërisht, vërehet se këta të fundit, kërkesën e tillë kanë arritur t’ua imponojnë edhe disa ideologëve të ndryshëm nga vendi ynë, dhe deklarohet me ngulm se shoqëria jonë në një shekull të ri, nuk mund të jetojë duke iu qëndruar besnikë traditave të vjetra. Ecja para sipas tyre, duhet të bëhet gjithsesi mbi gërmadhat e kulturës dhe traditës sonë.

Në fakt, edhe ne jemi për t’u rishikuar disa tradita të vjetra, e pse jo të tillat të zavendësohen me disa më të mira e më fisnike, se as ne s’e posedonim të mirën absolute. Por, jo t’i shkulim me rrënjë edhe ato për të cilat na ka pasur gjithmonë lakmi bota. E jo të zavendësohen me antivlera e çmenduri, ani pse këto të fundit përkohësisht mund t’i sillnin famën disa anëtarëve të shoqërisë sonë.

Këta anëtarë i vërejmë se janë të palodhur në gërvishjen e thellë në strukturën e moralit dhe në etikën tradicionale,  dhe paradoksalisht, që të gjitha këto gjeste bëhen në emër të thyerjes së tabuve shoqërore dhe të prishjes së “kodit dogmatik” i cili qenka “imponuar” nga feja e tradita.  E, nga shpeshtësia dhe promovimi i përsëritur që iu bëhet veprimeve dhe gjesteve të tilla, në fakt, kanë filluar të lëkunden motivet edhe pikëpamjet e “alpinistëve” që kanë marrë rrugën e kanë vendosur të ngjiten majava të larta të shkencës e dijes.

Aspirata për ngritje intelektuale, kreativiteti në arte të mirëfillta, konkurrenca në një treg të pastër, motivi për inovacione teknologjike e shkencore tashmë nuk janë trend dhe simbol avancimi shoqëror, e ndoshta, as nuk zgjojnë kurreshtjen e shumë njerëzve për rreth nesh.

Duket se në shoqëri po ndodhin revolucione, por jo të tilla me karater politik e ushtarak, që përmbysin sistemet dhe gjithçka tjetër brenda natës,  mirëpo të tilla revolucione ideologjike e kulturore, që ndodhin me ngadalësi, e të cilat gërryejnë pandalur në kështjellën e vlerave, dhe prekin palcën kurrizore të kulturës së popullit, etikën dhe traditën e paprekshme për shekuj me radhë. Këto fenomene do të vazhdojnë të krijojnë divergjenca e thyerje të thella shoqërore, simptomet e të cilave i vërejmë qysh tani, por pasojat pak më vonë. Të njejtat do të brejnë në thelb, edhe  atë kohezionin e çmuar social, nën ombrellën e të cilit kemi jetuar me paqe e qetësi gjer para pak viteve. Shpresojmë se atë do ta ruajmë edhe për të ardhmën e brezave të rinjë.

 

Autor: Mr. Driton Arifi

 

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0