Projektet biznesore në Kosovë, që shpresojnë për financim nga BERZH

Projektet biznesore në Kosovë, që shpresojnë për financim nga BERZH

“Bartësit e zhvillimit ekonomik nuk janë vetëm. Qeveria do t’i mbështesë të gjithë ata që e  kanë këtë mision”, kjo ishte porosia e Kryeministri

Investimet turke në Kosovë trefish më shumë se në Serbi
Indeksi BIST 100 i Bursës së Stambollit sërish arrin vlerë rekord
‘1 % e njerëzve më të pasur në botë, fitojnë 82% të pasurisë’
“Bartësit e zhvillimit ekonomik nuk janë vetëm. Qeveria do t’i mbështesë të gjithë ata që e  kanë këtë mision”, kjo ishte porosia e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj në hapjen e takimit me komunitetin e biznesit dhe Odën Ekonomike të Kosovës.

Bërja bashkë e bizneseve, përmes Odës Ekonomike kishte për qëllim prezantimin e projekteve konkrete që do të paraqiten në samitin e radhës të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), që do të mbahet më 26 shkurt në Londër.
“Kemi punuar intensivisht që të jemi afër sipërmarrësve. Ajo që na intereson është pjesa të cilën sipërmarrësi nuk mund ta mbuloj vetë, pra, aty ku përfundon mundësia dhe kapaciteti i sipërmarrësit për projektet që i ka, të vije në shprehje Qeveria e vendit”, tha kryeministri Haradinaj.
Këshilltari i Kryeministrit dhe Koordinatori për Ballkanin Perëndimor, Gazmend Abrashi tha se do të selektohen projekte konkrete, të cilat më pastaj i prezantohen Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).
Kryetari i Odës Ekonomike, Safet Gërxhaliu, kërkoi avancimin e dialogut publik-privat i cili do të jetë në funksion të së ardhmes.
Ndër projektet e përmendura kryesonin ato për energjinë alternative derisa u propozua nga bizneset nevoja e krijimit të një organizate të specializuar, e cila do të merrej me përpilimin dhe zhvillimin e projekteve dhe të cilat më vonë do të prezantoheshin në forume ndërkombëtare.

***

Presidenti Thaçi kërkon miratimin e demarkacionit, për hatër të BE-së dhe qytetarëve

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, përmes një postimi në rrjete sociale ka kërkuar miratimin e demarkacionit, duke besuar se me këtë do të arrihet liberalizimi I vizave.

“Pak ditë kanë mbetur deri te publikimi i Strategjisë së Zgjerimit të Komisionit Evropian për integrimin evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Kjo është një mundësi historike që edhe Kosova të përfshihet denjësisht në këtë strategji dhe qytetarët e Kosovës të kenë qartësi për hapat e radhës drejt integrimit në Bashkimin Evropian.

Kjo qartësi, së bashku me lëvizjen e lirë dhe pa viza, do të ishin lajmi më i mirë për çdo qytetar të Kosovës në dhjetëvjetorin e pavarësisë së shtetit tonë. Bashkimi Evropian, i cili ka në dorë këtë strategji dhe vendimet e tjera të rëndësishme për vendin tonë, nuk preokupohet se çfarë dëshiron qytetari, por është i interesuar të shoh sa i kanë përmbushur kërkesat e tyre institucionet e vendit tonë.

Prandaj, këtu nuk ka të panjohura. Pyetja urgjente që kemi para vetes është: a do të bëjmë çka është e nevojshme për të hequr dyshimet se dëshirojmë një të ardhme në BE?

A dëshirojmë t’i japim rinisë sonë një shans që të përpiqen për një të ardhme meritore në familjen evropiane? Apo dëshirojmë që t’i ngatërrojmë përgjithmonë në kauza politike shkurtpamëse.

Tani nuk është koha për fajësime apo shfajësime, por për veprime në interes të shtetit dhe qytetarëve. Nuk mund ta theksoj mjaftueshëm sa e nevojshme është që në këto momente të tregojmë lidership të duhur.

E një vendim i tillë është edhe ratifikimi i marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, vend që ndërmori vendime të vështira në raport me Kosovën, për të cilat u jemi mirënjohës. Duhet ta bëjmë atë që është në të mirë të qytetarëve, një perspektivë evropiane e qartë dhe një lëvizje e lirë e qytetarëve tanë në Evropë”, ka shkruar Thaçi

***

Thaçi në Davos

Në Davos presidenti I Kosovës Hashim Thaçi ka vazhduar takimet me liderët e Ballkanit Perëndimor dhe përfaqësuesit e Bashkimit Evropian, në kuadër të sesionit të Forumit Ekonomik Botëror me temë “Përshpejtimi i zhvillimit afatgjatë të Ballkanit Perëndimor”.

Në një postim në Facebook, ai shkruan:

“Biseduam për perspektivën evropiane të rajonit, për bashkëpunimin rajonal dhe për tejkalimin e problemeve politike, si veprime që forcojnë paqen dhe stabilitetin në rajon e më gjerë.

Fokusi i shtuar në rajon, si rezultat i strategjisë për procesin e zgjerimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor që do të publikohet së shpejti dhe Samiti i ardhshëm i Sofjes, e kanë vendosur zgjerimin e Ballkanit Perëndimor si një nga prioritetet kryesore.

Viti 2018 është përcaktues në avancimin e agjendës evropiane për të gjitha shtetet e rajonit që janë të përkushtuara në procesin e anëtarësimit.

Pritjet tona janë që kjo strategji të paraqes një perspektivë të qartë për Kosovën, sepse kjo do të mundësojë zbatimin e reformave dhe përshpejtimin e hapave në procesin e anëtarësimit.

Kosova mbetet e përkushtuar për procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Në këtë aspekt, është e domosdoshme arritja e një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme për paqe dhe normalizim”,  ka shkruar Thaçi.

***

Presidenti Thaçi takohet me Presidentin serb

Në kuadër të Forumit Ekonomik Botëror në Davos, presidenti i Kosovës përmes rrjetit social ka njoftuar për takimin bilateral me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

“Biseduam për vazhdimin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës e Serbisë dhe domosdoshmërinë e arritjes së një marrëveshjeje historike ndërmjet dy shteteve.

Kjo është e vetmja mënyrë për ruajtjen e paqes dhe hapjen e perspektivës evropiane për gjithë Ballkanin Perëndimor, ka shkruar Thaçi.

***

Qeveria mban mbledhje

Qeveria ka miratuar kërkesën e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinorë për krijimin e Task-forcës të udhëhequr nga kjo ministri dhe ka kërkuar nga të gjithë aktorët që të ndërmarrin masat në fushën e tyre të përgjegjësive për të përmirësuar nivelin e pastërtisë së ajrit. Nga ana tjetër është miratuar edhe Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë në Qeverinë e Republikës së Kosovës dhe Agjencisë Austriake për Zhvillim (ADA). Marrëveshja  rregullon mbështetjen e projektit “Heras – Arsimi i lartë, hulumtimi dhe shkenca të aplikuara në Kosovë”.
Në mbledhje, kabineti qeveritar ka miratuar edhe Rregulloren për organizimin e brendshëm dhe sistematizimin e vendeve të punës në Ministrinë e Administratës Publike. Rregullorja përcakton strukturën, organizimin dhe funksionimin e brendshëm të Ministrisë së Administratës Publike dhe organeve në mbikëqyrje të kësaj ministrie. Rregullorja fuzionon Departamentin e Reformës se Administratës Publike me Departamentin e Koordinimit të Politikave dhe Integrimit Evropian në një departament.
Me vendimin e miratuar në mbledhje, Qeveria e Kosovës ka themeluar Komisionin për hartimin e Projektligjit për Financimin e Subjekteve Politike.
Aty është miratuar Koncept-dokumenti për pronësinë dhe të drejtat tjera sendore. Koncept dokumenti ka për qëllim të caktojë qartë të drejtën pronësore, titullarët dhe përmbajtjen e tyre si dhe rregullimin e kësaj të drejtë në pajtim me standardet e Bashkimit Evropian.
Ka marr miratimin nga Qeveria edhe Koncept-dokumenti për gradimin dhe pagat e krijuesve dhe performuesve të kulturës dhe punonjësve profesional të trashëgimisë kulturore.
Vendimi për plotësimin dhe ndryshimin e Vendimit të Qeverisë për Themelimin e Këshillit Nacional për siguri dhe Shëndetin në Punë, është miratuar po ashtu. Vendimi plotëson vendet e zbrazëta nga zyrtarët  e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe Ministrisë së  Shëndetësisë.
Kryeministri Haradinaj ka informuar kabinetin qeveritar me gjendjen e vështirë në Agjencinë e Arkivave të Kosovës dhe nevojën e një koordinimi ndërinstitucional për tejkalimin e gjendjes në këtë institucion të rëndësishëm të Republikës së Kosovës.
***

Ndalohet hyrja e veturave të qyteteve tjera në Prishtinë

Zyrtarë të Komunës së Prishtinës janë takuar ndaras me Ministren e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj, si dhe me Ministrin e Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj, me kërkesa konkrete për hapat që duhet ndërmarrë bashkërisht për të ndikuar kështu në uljen e nivelit të ndotjes së ajrit në kryeqytet.

Sipas komunikatës të lëshuar nga Komuna, thuhet se në takimin e përbashkët me këto institucione, të mbajtur në Komunë të Prishtinës, u dakorduan që nga 31 janari të fillojmë me zbatimin e masave emergjente, që janë të përkohshme deri në një vendim tjetër:

– Reduktimi i numrit të makinave që qarkullojnë në kryeqytet, qoftë përmes ndaljes të të gjitha makinave që vijnë nga qytetet tjera, në hyrjet e kryeqytetit, në intervalet kohore 06:00-09:00 dhe 16:00-22:00; qoftë përmes seleksionimit të qarkullimit të makinave varësisht numrit të targave në të gjithë qytetin e Prishtinës (targat që numrin e fundit e kanë tek, qarkullojnë në datat tek; targat që numrin e fundit e kanë çift, qarkullojnë në datat çift). Do të sigurohen hapësira për parkim në hyrje të kryeqytetit, derisa të tejkalohet kjo fazë emergjente. Në të dyja rastet, do të shfrytëzohen pa pagesë autobusët e Trafikut Urban, që do të stacionohen në pikat më të frekuentuara.

– Subvencionimi i Trafikut Urban për këtë shërbim bëhet nga ana e Qeverisë së Kosovës.

– Ndalohet shitja dhe përdorimi i thëngjillit në Prishtinë.

– Drejtoria e Inspekcionit bashkë me Inspektorët e Ministrisë do t’i kontrollojnë bizneset që përdorin thëngjillin si lëndë djegëse, si dhe ekonomitë familjare, ashtu që të ndërmarrin masa në secilin rast ku tejkalohet norma e ndotjes.

Tashmë, gjashtë ekipe të Drejtorisë së Inspekcionit janë në terren për të kontrolluar dokumentacionin e automjeteve transportuese, dhe për të verifikuar nëse e kanë bërë kontrollimin sipas ligjit (çdo 6 muaj). Tri ekipe të tjera të Inspekcionit, janë aktivizuar në akset kryesore të hyrjes në Prishtinë, për t’i ndaluar taksitë ilegalë që vijën nga komunat e tjera.

Komuna e Prishtinës në bashkëpunim me Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, si dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme, do të angazhohet me të gjitha kapacitetet e saja për ta tejkaluar këtë situatë emergjente, thuhet në njoftim.

***

Çelajt ia kujton Ahmetit përqeshjen e “rampave”

Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryetar të Prishtinës nga zgjedhjet e kaluara, Lirak Çelaj ka thënë se i vjen mirë që kryetari aktual Shpend Ahmeti po merr pjesë nga programi i tij.

“Ndonëse me vonesë, po me vjen mire qe Shpendi po merr prej programit tim. Edhe pse e përqeshte punën e “rampave”. Por për te funksionuar ky program duhet ta merr komplet e jo vetëm një copë. Komuna duhet ta padis KEK-un dhe po ashtu te filloj projektin e rrjetit virtual te gazit”, ka shkruar Çelaj në rrjetin social.

Ai ka aluduar në vendimin e më të fundit të Komunës së Prishtinës për të ndaluar qarkullimin e makinave nga qytetet tjera, për shkak të ndotjes alarmante të ajrit.

***

ATK, gjobë 13 subjekteve të lojërave të fatit

Administrata Tatimore e Kosovës (ATK), përkatësisht Divizioni i Lojërave të Fatit, nga një aksion i ndërmarr në disa komuna të Republikës së Kosovës, ka mbyllur 13 subjekte që ushtrojnë jashtëligjshëm veprimtarin e lojërave të fatit, të cilat po ashtu janë ndëshkuar me gjoba në vlerë 52 mijë euro.

“Ndëshkimi i këtyre subjekteve është bërë pasi që të njëjtat kanë organizuar lojëra të ndaluara me Ligjin për Lojërat e Fatit, në pikat pa licencë (vendim) të Administratës Tatimore të Kosovës. Divizioni i Lojërave të Fatit, do të vazhdoj me aksione të tilla në çdo kohë, bazuar në autorizimet që i jep Ligji Nr.04/L-080, për Lojërat e Fatit”, thuhet në njoftimin e ATK-së.

Në fund, ATK i bënë thirrje të raportojnë në këtë institucion për rastet të cilat dyshohen se ushtrojnë veprimtarin e lojërave të fatit jashtë ligjshme.

***

Bankave në Kosovë nuk po iu pëlqejnë investimet në Bitcoin

Duke pasur parasysh interesimin e madh të publikut të gjerë për ‘valuta virtuale’ të tilla si Bitcoin, Shoqata e Bankave të Kosovës (SHBK) paralajmëron publikun e gjerë dhe në veçanti klientët e sektorit bankar në Kosovë, për rreziqet e mëdha që ndërlidhen me këto investime.

“Në pajtim me njoftimet e vazhdueshme të lëshuara nga autoritetet financiare evropiane si Banka Qendrore Evropiane (ECB) si dhe Autoritetit Bankar Evropian (EBA), si dhe paralajmërimet e Bankës Qendrore të Kosovës, Shoqata e Bankave të Kosovës njofton se ky instrument spekulativ i tregtueshëm në internet, nuk njihet nga Ligjet e Kosovës dhe nuk njihet nga sistemi bankar si instrument pagese”, thuhet në njoftimin e SHBK-së.

“Si e tillë, kjo fushë nuk është e rregulluar me ligjet në fuqi në Republikën e Kosovës, që do të thotë se ata që investojnë dhe tregtojnë me valuta virtuale, nuk janë të mbrojtur apo të garantuar nga asnjë institucion vendor apo ndërkombëtar dhe të gjitha rreziqet dhe përgjegjësitë merren përsipër nga vetë përdoruesi i këtyre instrumenteve”, përfundon njoftimi.

– Përgatiti për TRT Shqip, Muharrem SARAGJOLLI –

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0