Zhvillimet politike rreth Gjykatës Speciale dhe vrasja e Ivanoviqit po sfidojnë sigurinë e Kosovës

Zhvillimet politike rreth Gjykatës Speciale dhe vrasja e Ivanoviqit po sfidojnë sigurinë e Kosovës

Zhvillimet politike rreth Gjykatës Speciale dhe ngjarjet e fundit, siç ishte vrasja e Oliver Ivanoviqit, konsiderohet se po e sfidojnë gjendjen e përg

Zaharieva: Ratifikojeni Demarkacionin
Prishtina vazhdon të mbetet në listën e qyteteve më të ndotura në botë (Dokument)
Prishtina pa vetura, shkak ndotja

Zhvillimet politike rreth Gjykatës Speciale dhe ngjarjet e fundit, siç ishte vrasja e Oliver Ivanoviqit, konsiderohet se po e sfidojnë gjendjen e përgjithshme dhe sigurinë në Kosovë.

Autoritetet shtetërore, kanë konstatuar se gjendja është e qetë dhe e qëndrueshme, pa indikacione të përkeqësimit. Por, sipas ekspertëve nga fusha e sigurisë, ka disa faktorë që e bëjnë mjaft të brishtë situatën e përgjithshme.

Vrasja e politikanit serb në veri të Mitrovicës, Oliver Ivanoviq, përpjekja e një grupi të deputetëve për shfuqizimin e Gjykatës Speciale për krime të luftës që po shihet si cenim i raporteve me faktorin ndërkombëtar, si dhe përplasjet e brendshme rreth ratifikimit të Marrëveshjes së demarkacionit të kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, mbeten çështjet jo vetëm më të diskutuara në skenën politike, por edhe të tensioneve.

Krahas tyre, gjendja socio-ekonomike, shihet si potencial për thellimin e brishtësisë në aspektin e sigurisë.

Të gjitha këto çështje, sipas Skënder Përteshit, analist i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë, po e sfidojnë në përgjithësi shtetin e Kosovës dhe në veçanti sigurinë publike.

“Ne jemi duke u ballafaquar me disa tema të rënda, qoftë shfuqizimi i Gjykatës Speciale, qoftë problemet me demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, situata ekonomike në përgjithësi, liberalizimi janë disa tema që po e sfidojnë shtetin e Kosovës dhe po e cenojnë zhvillimin tutje të shtetit në përgjithësi. Megjithatë, besoj që institucionet e shtetit e kanë maturinë e vet dhe nuk marrin veprime të pamatura që mund ta cenojnë stabilitetin dhe sigurinë e vendit në përgjithësi”, thotë Përteshi.

Ai shton se rasti i fundit (vrasja e Oliver Ivanoviq) mund të rrisë tensionet në veri të vendit. Derisa, sipas tij, sa i përket territorit tjetër të vendit, situata e sigurisë mund të konsiderohet e qetë dhe stabile.

“Me përjashtim të veriut të Kosovës, ku institucionet e zbatimit të ligjit në Kosovë ende nuk e kontrollojnë atë territor, situata e përgjithshme e sigurisë në Kosovë është qetë dhe stabile, por rasti i fundit mund t’i rrisë tensionet në veriun e vendit dhe mund të ketë ndonjë burim për destabilizim sidomos pjesës së veriut. Por, besoj që institucionet e Kosovës, Policia dhe Prokuroria t’i zbulojnë shkaktarët e vrasjes në mënyrë që të mbahet situata nën kontroll”, vlerëson Përteshi.

Gjatë kësaj jave, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kishin paralajmëruar qytetarët amerikanë që të “shtojnë kujdesin në Kosovë për shkak të terrorizmit”.

Në një paralajmërim të Departamentit Amerikan të Shtetit përmenden komunat veriore të Kosovës të banuara me shumicë serbe, si zona me shkallë të shtuar të rrezikut.

DASH-i thekson se “tensionet brenda dhe ndërmjet komuniteteve vazhdojnë të nxisin dhunë, demonstrata dhe trazira të tjera në Mitrovicën e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok e Zveçan.

Në këtë paralajmërim nuk kishte pasur ndonjë shpjegim për kohën dhe arsyet e këtij paralajmërimi.

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës në rajonin Mitrovicës së Veriut, Besim Hoti, thotë për Radion Evropa e Lirë se vrasja e fundit mund të sjellë një ndjenjë të ngarkesës së pasigurisë, por që kjo ngarkesë nuk është manifestuar në terren që të rrezikojë sigurinë publike apo të përgjithshme.

“Tensionet më tepër janë individuale dhe psikologjike te masa e qytetarëve për çështjen e sigurisë, pasi që vrasja e fundit sjell një ndjenjë të ngarkesës së pasigurisë. Mirëpo, këto ndjenja pasigurie, këto ngarkesa psikologjike të qytetarëve nuk janë manifestuar në çfarëdo lloj formë në terren që të cenojnë ose të rrezikojnë sigurinë publike ose sigurinë e përgjithshme. Ne themi që është një situatë e qetë dhe nuk kemi asnjë arsye që të brengosemi për një rrezikim të përgjithshëm të sigurisë”, thotë Hoti.

Ndërkohë, Policia e Kosovës përmes një njoftimi për media kishte theksuar kanë ndërmarrë masa në aspekt të shtimit të sigurisë, përfshirë shtimin e pranisë policore në disa lokacione të identifikuara si të ndjeshme, me qëllim të parandalimit të çfarëdo incidenti.

Takim mbi gjendjen e sigurisë në Kosovë kishte zhvilluar gjatë javës Këshilli i Sigurisë së Kosovës.

Pas këtij takimi, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, dhe drejtori i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni, e kishin vlerësuar gjendjen e sigurisë në vend qetë dhe stabile.

“Në Kosovë gjendja e sigurisë është stile dhe e qetë. Edhe Kosova nuk përjashtohet nga vendet e qeta dhe të sigurta, por po ashtu nuk përjashtohet edhe nga rreziku nga aktet të caktuara terroriste ose si krimi siç ishte vrasja Oliver Ivaniviqit, por megjithatë ju sigurojmë se gjendja e sigurisë është stabile dhe e qetë në Kosovë”, thotë kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili gjendjen e sigurisë në vend e vlerëson të qetë dhe të qëndrueshme

Autoritetet në Kosovë, ka thënë kryeministri Haradinaj, janë vigjilente dhe në nivel të detyrës në tërë territorin.

Sipas ekspertëve, kërcënimi i sigurisë publike nga krime të ndryshme shton nevojën për ngritjen e kontrollit më të shtuar të policisë në komunitet.

Policia e Kosovës është në zbatim të fazës së dytë të strategjisë dhe planit të veprimit për policin në bashkësi 2017-2021.

Kjo strategji, është shtrirë në tërë territorin e Kosovës, në të gjitha komunat dhe lagjet e Kosovës.

COMMENTS