Ne bijtë e një brezi të civilizuar, por jo edhe shumë human!

Ne bijtë e një brezi të civilizuar, por jo edhe shumë human!

Njeriu nuk mund ta zgjedhë periudhën në të cilën lind, e as epokën  kur ai do të jetojë, sepse kjo mvaret nga Vullneti Hyjnor, e jo prej tij, por form

A eshte dhe a duhet te jete Levizja Besa Levizje Islamiste?!
Feja dhe detyra për të ndërtuar opinion publik
Trump vs. Clinton dhe “elektorët e pabesë”

Njeriu nuk mund ta zgjedhë periudhën në të cilën lind, e as epokën  kur ai do të jetojë, sepse kjo mvaret nga Vullneti Hyjnor, e jo prej tij, por formën se si të jetojë dhe cilat vlera do t’i kultivojë, kjo është në dispozicion të secilit që edhe mund të zgjedhë.

Ne, bijtë e këtij brezi, mund të ndihemi të privilegjuar, ngaqë jemi me fat, sepse kemi zënë një pjesë të shekullit të kaluar edhe jetojmë në një hise të këtij të tanishmit. Ky brez e llogarit vetën me krenari se i takon një epoke të artë të civilizimit të lartë, prosperitetit të pandalshëm, zhvillimit marramendës teknologjik, dhe që të gjitha këto, tashmë kanë arritur nivele aq të larta, sa që të tillat do të dukeshin të paimagjinueshme për cilin do brez  që ka jetuar para nesh.

Arsimimi ka përfshirë numrin më të madh të njerëzve në rruzullin tokësor, dhe numri i universiteteve e akademive shkencore që sot ekzistojnë gjithandej nepër botë, na japin përshtypjen e se jetojmë në epokën më të ndritshme e më të arsimuar që ka kaluar ndonjëherë njerëzimi. Ne jemi të civilizuar meqë jemi të arsimuar, por s’mund të pretendojmë që jemi edhe të kulturuar, sepse “civilizimi arsimon, e kultura edukon. I pari kërkon mësim e dyta meditim…Civilizimi është vazhdim I zhvillimit teknik, e jo shpirtëror të njeriut” qartësonte   A. Izetbegoviqi.

Jetojmë në kohën që shënon ” prodhimin më të lartë me shpenzimet më të vogla”. Mjetet moderne të komunikimit, kursyen kohën dhe shpenzimet në një masë të paimagjinueshme tek njerëzit. Por, megjithatë, njerëzit nuk u bënë më të lirë, e as më pak të preokupuar.

Në një epokë që trendi i zhvillimit  matet me lëvizjen e sekondave e ndoshta edhe me qindëshet e tij, njeriu shpesh herë mund të gjendet i stepur, e i pafuqishëm që të konceptojë drejtë realitetin që është duke e rrethuar dhe ku është duke jetuar, si shkak i dendësisë së informacioneve dhe vrullit të shpejtë zhvillimor që po e shënon ky brez.

Që të gjitha këto, janë pa dyshim rezultate të një civilizimi modern, që specifikat e tij ia ka imponuar secilit banues të këtij globi.

Sot njeriu bashkëkohor ka arritur të  bëjë ” betejën e tij” me kozmosin, e me yjet. Rrugëtimet e tij në hapsirën qiellore janë të pandalshme, po aq sa janë edhe lundrimet dhe zhytjet e tij nëpër dete e oqeane nën ujë, mirëpo ai nuk ka arritur që të njohë mirëfilli se si dihet të ecë e të jetojë në tokë si njeri, siç do të na thoshte një ideolog indian.

Në këtë vit, kemi plotësuar saktësisht një shekull, që nga përfundimi i Luftës së Parë Botërore, që përfundoi në vitin 1918, e megjithatë viktimat qysh nga ajo kohë nuk janë ndalur asnjëherë. Sipas disa statistikave të përafërta, vetëm nga luftërat e nga konfliktet e armatosura në mes të popujve e ndonjëherë edhe nga luftërat civile përgjatë një shekulli kanë rënë viktimë hiç më pak se 200 milion njerëz. Këto viktima kanë rënë në epokën kur “civilizimi” ka arritur kulmin e zhvillimit të tij, dhe si i tillë është ende drejt një ngritjeje të mahnitshme që fare s’di të ndalur. Këto viktima ranë në epokën kur numri i “mendjendriturve” e të arsimuarëve me shkallët më të larta akademike ka qenë më i madh se kurdoherë më parë. S’mund të thotë askush që njerëzimi luftoi në mes vete, ngaqë nuk ishte i vetëdijshëm e i arsimuar deri në atë shkallë që të kuptonte pasojat fatale të luftërave e trazirave në tokë. Përkundrazi, luftërat dhe armët më shkatërruese kundër vetvetës i prodhoi njerëzimi në epokën më të “civilizuar” të tij.

Kjo na bënë të qartë që “civilizimi” nuk ndalë luftërat, e as nuk po arrin të mbjellë paqën në tokë. Rruga drejt paqes së gjithmbarshme nuk duket të jetë edhe aq e lehtë, madje ” paqja duhet të ripërkufizohet më shumë se sa thjesht mungesë e luftës. Mungesa thjesht e luftës nuk është garanci se lufta nuk do të përsëritet“, siç shprehej J.S. Goldstain.

Krijuesi ynë, na jep instruksione të qarta për rrugën që duhet ndjekur nëse dëshirojmë paqe, Ai thotë” Mos syno çrregullimet-trazirat në tokë, vërtetë Zoti nuk i do çrregulluesit-trazuesit e rendit në tokë“, El Kasas, 77.  Prishjes së paqes i paraprjnë trazirat edhe çrregullimet,  e kur ato ndodhin, paqja nuk gjenë më fole në atë shoqëri. Andaj qëndrimi  hyjnor ishte i kjartë, t’i këputen rrënjët minuesëve të paqës, dhe t’iu ngushtohet hapsira atyre që bëjnë trazira në tokë, se vetëm kështu instalohet rendi e paqja në tokë, dhe  vetëm në këtë formë mund të mbijetojë ajo.

Numri i shoqatave e organizatave ndërkombëtare edhe atyre vendore që kanë mision humanitar në epokën e civilizimit është më i madh se kurdoherë më parë, por ende numri i atyre që vdesin nga uria në botë,  është mbi 10 miljon njerëz në vit. Po sipas statistikave të OKB-së, rrëfehet se aktualisht janë 795 milion njerëz që nuk kanë ushqim të mjaftueshëm ose vuajnë nga ushqimi joshëndetësor. Burimet natyrore nuk janë paksuar në tokë, përkundrazi, mirëpo shpërndarja e tyre ndër njerëz është bërë në formë të padrejtë.

E sipas OBSH-së (Organizatës Botërore të Shëndetësisë) numri i foshnjeve të abortuara  në tërë botën brenda një viti, arrin në 40 milion. Ata fëmijë që Zoti iu dha frymën e shpirtit, po privohen nga e drejta për të jetuar në këtë botë, ende pa hyrë në të. Sigurisht se s’kishim arsye që të kemi armiqësi së paku ndaj foshnjave. Ata s’na bënë ndonjë të keqe, për më tepër, ne duhet  që të mbiellim më shumë mëshirë e humanitët në shpirtërat tonë, për të kuptuar se mos lejimi i ardhjes së tyre në këtë jetë është krim i vrasjes.

Civilizimi sot është i aftë që të formojë organizata të ndryshme për të drejtat e njeriut, humanizëm e solidaritet ndër njerëz, ai arriti që të përpilojë sllogane e parulla nga më të ndryshmet, mesazhi i të cilave është mbresëlënës, por  se nuk po arrin dot që të ofrojë një ambrellë paqeje nën hijen e së cilës do të strehoheshin që të gjithë. Parullat e slloganet s’mbiellin rend në tokë,  ani pse duken efikase. Vrimat ligjore në ligjet e të gjitha shteteve do të vazhdojnë të shfrytëzohen si mos më keqë, nga ata  njerëz që janë të “përkryerë dhe intelegjentë” vetëm kur bëjnë krime e trazira në tokë. Tek të gjithë njerëzit, e në veçanti tek ata që kanë prirje keqbërëse  e kriminale duhet bërë mishërimin e ndjenjës së besimit se do të vijë një ditë në të cilën do të dalim që të gjithë para Drejtësisë Absolute të Krijuesit tonë. “Dhe druajuni asaj Dite, që do të ktheheni te Zoti, në të cilën ditë, çdokujt, do t’i jepet ajo që ka fituar, – dhe askujt nuk do t’i bëhet padrejtësi”.   Jo rastësisht, tërë mësimet hyjnore të Kur’anit më këtë verset janë përmbyllur mu me këtë verset (i fundit sipas mendimit më të saktë nga të gjitha veresetet e zbritura kur’anore), e i cili i thërret ndërgjegjjes njerëzore dhe shpirtit human që të përgaditet për dalje para Drejtësisë Hyjnore të Krijuesit.

Ne bijtë e këtij brezi, mjaftueshëm u civilizuam e u arsimuam, andaj të bëhemi edhe pak humanë!.

Autor: Mr. Driton Arifi

 

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0