Çfarë thonë Ungjilli i Barnabës dhe Islami rreth gjoja “kryqëzimit” të Isait a.s.

Çfarë thonë Ungjilli i Barnabës dhe Islami rreth gjoja “kryqëzimit” të Isait a.s.

(Pjesë e shkëputur nga libri “Të Dërguarit e Allahut” të autorit Ahmed Behxhet, përkthyer nga Sabri Bajgora, botuar nga BIK-u- 2009)Besimi islam rreth

Dashuria për Jezusin mund të ndërtojë mirëkuptim mes të Krishterëve dhe Myslimanëve
Mevludi – Hafez Qemal Osmani (Lexim tepër mbresëlënës)
Beauty of clean water for this week’s photo challenge

(Pjesë e shkëputur nga libri “Të Dërguarit e Allahut” të autorit Ahmed Behxhet, përkthyer nga Sabri Bajgora, botuar nga BIK-u- 2009)
Besimi islam rreth Isait a.s. është krejtësisht i kundërt me atë që është shënuar në katër Ungjijtë e kanonizuar, qoftë në atë që thuhet për fundin e Isait a.s. ose për natyrën e tij njerëzore apo hyjnore, që ishte dhe mbetet objekt mospajtimi pas ngritjes së tij.
Kurani famëlartë na rrëfen se Allahu xh.sh. nuk i ka lejuar hebrenjtë e as romakët që ta mbysnin Isain a.s. e as ta kryqëzonin, por atë e ka shpëtuar nga pabesia e tyre dhe e ka ngritur tek Ai, prandaj as që e kanë vrarë as e kanë kryqëzuar, por dikush tjetër u ka përngjarë në të.

Allahu xh.sh. në Kuran thotë:
“Madje për shkak të thënies së tyre: “Ne e kemi mbytur Mesihun, Isain, birin e Merjemes, të dërguarin e Allahut”. Po ata as nuk e mbytën as e gozhduan (nuk e kryqëzuan në gozhda), por atyre u përngjau. Ata që nuk u pajtuan rreth (mbytjes së) tij, janë në dilemë për të (për mbytje) e nuk kanë për të kurrfarë dije të saktë, përveç që iluzojnë. E ata me siguri nuk e mbytën atë. Përkundrazi, Allahu e ngriti atë pranë Vetes…” – (En-Nisa’ë, 157-158)

Dhe po ashtu ka thënë:
ø“O Isa, Unë po të marr ty, po të ngre te Unë, po të shpëtoj prej sherrit të atyre që nuk besuan. E ata që të besuan ty, do t’i ngre lart mbi ata që nuk besuan deri në ditën e kiametit” – (Ali Imran, 55)

Të gjithë dijetarët muslimanë pajtohen me këtë, por kanë mendime të ndryshme për mënyrën e argumentimit të fakteve të vërteta që i kanë para vetes.
Dikush prej tyre beson në tekstin strikt të ajeteve, duke mos hulumtuar më për to dhe duke mos kërkuar ndihmë në përforcimin e mendimit të tyre në asnjë libër tjetër pos Kuranit.
Secili drejtim në argumentim ka faktet e veta.

Grupi i parë mbështeten në ndalimin nga ana e Pejgamberit a.s. për kthim-argumentim në librat dhe fletushkat e hebrenjve e të krishterëve. Ata kanë fenë e tyre e ne tonën dhe, vetëm Allahu do të gjykojë në mes nesh në Ditën e Gjykimit për atë që kemi mospajtim me ta.

Ndërsa grupi i dytë mendojnë se ndalimi nga ana e Pejgamberit a.s. për të mos u mbështetur në librat e hebrenjve dhe të krishterëve ka qenë në fillet e para të Islamit, atëherë kur muslimanët i kishin ende të freskëta kohërat e injorancës, kështu që për hir të ruajtjes së besimit dhe bindjeve të tyre të pastra, ishin urdhëruar të mos e preokuponin mendjen me diçka tjetër përpos Librit të tyre-Kuranit.

Por, dituria, hulumtimi dhe studimi shkencor ia kushtëzojnë dijetarit që të çapitë edhe në fletushkat dhe librat e vjetër, për të ardhur deri tek e vërteta. Nëse në to gjen diçka që përputhet me të vërtetën që e beson dhe e ka në zemër, atëherë i qetësohet zemra dhe i shtohet bindja dhe vetëbesimi.

***
Tek përkrahësit e mendimit të parë, të cilëve u mjafton vetëm përshkrimi kuranor rreth ngjarjes së Isait a.s., nuk gjejmë ndonjë sqarim më detal (përshkrim të detajuar) rreth përpjekjeve për kapjen e Isait a.s., ngritjes së tij në qiell dhe faktit sesi dikush tjetër i ngjau atij në ato momente kritike. Këta mjaftohen vetëm me faktin se Allahu xh.sh. ua ngjasoi Isain a.s. me dikë tjetër, ndërsa atë e ngriti në qiell.
Këta nuk shtojnë ndonjë detal tjetër jashtë këtij përshkrimi.

Ndërsa përkrahësit e mendimit të dytë, e përshkruajnë ngjarjen të plotë, ashtu siç ka gjasë të ketë ndodhur. Këta thonë se Allahu xh.sh. ia ndryshoi pamjen Jehudhës (Judës) duke e ngjasuar me Isain a.s., e ky Juda ishte Juda Iskarioti, për të cilin Ungjijtë thonë se e kishte tradhtuar dhe e kishte shitur Isain a.s. tek armiqtë e tij.

Sipas pohimeve të tyre, Juda ishte njëri prej nxënësve të tij më të preferuar. Kjo ngjarje përputhet tërësisht me atë që është përshkruar në Ungjillin e Barnabës, e në të cilin thuhet:
“Kur iu afruan ushtarët me Judën ngadalë vendit ku ishte Isusi, Isusi e ndjeu afrimin e numrit të madh të njerëzve, prandaj ai me frikë u tërhoq në shtëpi. Të njëmbëdhjetët flinin.
Atëherë Zoti, duke e parë në rrezik shërbëtorin e Vet, i urdhëroi Gabrielit, Mikaelit, Rafaelit dhe Urielit, përfaqësuesve të Vet, që ta marrin Isusin nga bota.
Engjëjt e shenjtë erdhën dhe e nxorën Isusin nëpër dritaren, e cila shikon në drejtim të Jugut. Ata e zbuluan dhe e vendosën në qiellin e tretë në shoqërinë e engjëjve, të cilët përherë e madhërojnë Zotin.

Juda hyri me të shpejtë në dhomë para të gjithëve, prej ku ishte ngritur Isusi. E nxënësit flinin. Atëherë Zoti Madhështor veproi në mënyrë të mrekullueshme, në atë mënyrë që Juda qe ashtu i ndryshuar në të folur dhe fytyrë ngjashëm Isusit, saqë ne besuam se ai është Isusi. E ai, duke na zgjuar kërkonte ku është zotëria. Ne, nga kjo u habitëm dhe iu përgjigjëm: Ti zotëri, ti je zotëria ynë; po a na harrove tani?
E ai duke u qeshur tha: po a të marrë jeni, a nuk e dini se unë jam Juda Iskarioti!
Dhe, derisa ai e fliste këtë, hynë ushtarët dhe i lëshuan duart e tyre mbi Judën, ngase ai me të gjitha i ishte i ngjashëm i Isusit.
Ne pasi dëgjuam ç’thoshte Juda dhe duke parë numër të madh ushtarësh, ikëm të tronditur…”[1]

Fjalët e Ungjillit të Barnabës tingëllojnë disi çuditshëm në të dëgjuar. Ne dimë se Ungjijtë kanonikë të pranuar nga Kisha: i Mateut, i Markut, i Llukës dhe i Gjonit, përmbajnë doktrinën e krishterë, ashtu siç besojnë sot të krishterët. Por a thua nga erdhi tash ky Ungjill që përputhet esencialisht me doktrinën e besimit islam rreth çështjes së Isait a.s..

Dijetari i mirënjohur Muhamed Ebu Zehre në librin e tij “Ligjërata rreth krishterimit” thotë: „Historia na rrëfen se në shekujt e mëhershëm, kishte edhe Ungjij të tjerë, të cilëve u përmbaheshin fraksionet e mëhershme. Këta Ungjij ishin të përhapur në mesin e tyre dhe secili fraksion kishte bindjen se Ungjilli i tyre ishte ai i vërteti.
Historianët e krishterë janë unik se atëbotë ishin në qarkullim një numër shumë i madh i Ungjijve.

Kisha, duke parë këtë dukuri si të rrezikshme për ekzistimin e saj, në fund të shek. II ose në fillim të shek. III të e.r., dëshiroi që të mbesin në duart e të krishterëve vetëm ata Ungjij, që sipas bindjeve të tyre ishin të vërtetët dhe të saktët. Nga të gjithë Ungjijtë, të gjithë u asgjësuan ose u shpallën të pavlefshëm dhe prej tyre u përzgjodhën vetëm 4, të cilët u kanonizuan dhe u shpallën zyrtarë.

Mirëpo, kohëve të fundit, hulumtimet shkencore kanë qitë në dritë edhe një Ungjill tjetër, i cili sipas përmbajtjes, tregon se autenticiteti i tij shkon në fillet e para të krishterimit.
Ky Ungjill, u ngjason pak a shumë 4 Ungjijve të tjerë në rrëfimin për lindjen e Isait a.s. deri në akuzimin e tij. Ai përfshin edhe disa ligjërime, predikime dhe dialogë të Isait a.s., por çuditërisht, Kisha (as ajo katolike e as ajo ortodokse) nuk e pranojnë si të vërtetë, përkundrazi e kanë mohuar dhe e konsiderojnë si të shpifur e blasfemi. Mirëpo, ky Ungjill, megjithatë është i pranishëm në mesin e disa dijetarëve të krishterë të Evropës. Ata tashmë kanë filluar të hulumtojnë me kujdes autenticitetin e tij, pa çarë kokën se çfarë qëndrimi ka Vatikani, ndaj tij. Ku Ungjill i shumëpërfolur është Ungjilli i Barnabës. Ne jemi të obliguar ta studiojmë atë dhe po ashtu është e drejtë e jona të dimë qëndrimin e të krishterëve për të dhe në çfarë na orientojnë studimet shkencore rreth tij, pa kurrfarë pretendimi dashakeq dhe pa ndërhyrë a imponuar diçka në besimin e të krishterëve.

Në librin “Ligjërata rreth krishterimit”, për Barnabën thuhet që ai konsiderohet prej të gjithë të krishterëve si një prej shenjtorëve të krishterimit, një prej misionarëve të tyre, dhe një prej shtyllave mbi të cilat është bazuar predikimi i krishterimit të hershëm.
Në Ungjillin që mban emrin e tij, dëshmohet se Barnaba ishte një prej apostujve të zgjedhur nga vetë Mesihu (Isai a.s.) për ta shoqëruar atë në ditë të mira e të këqija.
Mirëpo librat e tjerë të krishterë, Barnabën nuk e konsiderojnë apostull, por vetëm si një prej misionarëve më të mëdhenj, i cili falë autoritetit që gëzon në mesin e të krishterëve, pothuajse arrin gradën e apostujve, në fenë e krishtere, pas Mesihut.

Përkundër këtij mospajtimi për pozitën e tij nëse ishte një prej apostujve apo misionarëve, megjithatë ai konsiderohet si një prej të inspiruarve dhe është autoritet i pakontestueshëm në mesin e të krishterëve, sipas bindjeve të tyre. Nëse vërtetohet autorësia e këtij Ungjilli në emër të Barnabës, atëherë përmbajtja e këtij Ungjilli do të ishte argument kundër atyre dhe do të duhej t’i shtynte të krishterët të rishikojnë edhe njëherë qëndrimet dhe bindjet e tyre, në përpjekje për të gjetur një baraspeshë mes asaj që është shkruar në këtë Ungjill dhe asaj që thuhet në katër Ungjijtë e tjerë, duke marrë për bazë atë që është më afër të së vërtetës, saktësisë së transmetimit dhe më afër bindjeve fillestare të krishterimit.

Prandaj, duke u nisur nga të gjitha këto, le të fillojmë ta studiojmë këtë Ungjill si një prej kopjeve më të vjetra të Ungjijve, i cili pa dritën në këta shekujt e fundit.
Historianët janë kompaktë se dorëshkrimi më i vjetër i këtij Ungjilli, të cilin e kanë hasur deri më tash, është një dorëshkrim i shkruar në gjuhën italiane. Atë e ka zbuluar Krameri, një prej kancelarëve të Mbretit të Prusisë, në vitin 1709.

Kopja e këtij dorëshkrimi së bashku me tërë bibliotekën e këtij kancelari, është transferuar në pallatin mbretëror të Vjenës në vitin 1738.
Kjo kopje është origjinali i secilës kopje e Ungjillit të Barnabës, që është përkthyer në gjuhë të ndryshme.

Mirëpo, në fillim të shek. XVIII pothuajse në të njëjtën kohë të zbulimit të dorëshkrimit në italisht, është gjetur edhe një kopje tjetër në gjuhën spanjolle, të cilën kopje e ka përkthyer në gjuhën angleze orientalisti Sajl. Mirëpo rreth kësaj kopjeje dhe përkthimit të saj, nuk dihet shumë, përveç disa fragmenteve për të cilat ka dhënë informacione Dr. Huajti në njërin prej predikimeve të tij.

Është thënë se përkthyesi i dorëshkrimit spanjoll është një musliman, që këtë përkthim e ka bërë nga gjuha italiane në atë spanjolle. Studiuesit kanë konstatuar se dorëshkrimi në italisht është origjinali i kopjes në spanjisht, sepse kopjes në gjuhën spanjolle i paraprin një parathënie në të cilën ceket se ai që e zbuloi kopjen italiane, e që është origjinali, nga e cila u kopjua dorëshkrimi në spanjisht, ishte një prift latin me emrin Fra Marino, i cili rrëfen e thotë: “Në mesin shkrimeve të Irineit është gjetur një shkresë në të cilën kundërshtoheshin ato çka janë shkruar nga shën Pali. Këto kundërshtime të tij ai i mbështet në Ungjillin e Barnabës. Kjo kureshtje për hulumtim e shtyri atë që të hulumtonte edhe më tepër rreth Ungjillit të Barnabës. Qëllimit ia arriti kur u bë një prej njerëzve më të afërt me papa Sikstin e V-të, sepse këtë Ungjill e gjeti mu në bibliotekën e këtij pape dhe pasi e kishte lexuar, kishte pranuar Islamin.”

Sipas të gjitha gjasave, ky dorëshkrim është ai që ishte zbuluar në vitin 1709. Në lidhje me këtë, dr. Seade, përkthyesi i Ungjillit të Barnabës në arabisht thotë: “Kur u hulumtua historia, u vërtetua se koha e papës Sikstit të V-të ishte fundi i shekullit të XVI dhe po ashtu është vërtetuar se lloji i letrës në të cilin është shkruar ky Ungjill është letër italiane, bazuar në gjurmët ujore të cilat gjenden në të. Ky është një argument i mjaftueshëm për të vërtetuar vjetërsinë e dorëshkrimit në italisht”.

Me një fjalë, historiku i dorëshkrimit i këtij Ungjilli sipas asaj që kanë konstatuar shkencëtarët, sillet diku rreth shek. XV dhe atij XV, prandaj është shumë e mundshme që dorëshkrimi në italisht, është po ajo kopje të cilën e ka gjetur Fra Marino, në bibliotekën e Papës. Pra dorëshkrimi më i vjetër për të cilin dihet është ai në italisht, i cili është gjetur në një ambient tërësisht të krishterë, prandaj është absurd të mendosh se kjo kopje mund të jetë e shpifur, sepse kjo kopje për herë të parë u zbulua në bibliotekën e papës, ndërsa atë e ka zbuluar një prift, dhe kjo kopje prej dorës në dorë u bart tek një kancelar i krishterë i mbretit të Prusisë, e pas kësaj u bart në pallatin mbretëror të Vjenës.

Nga tërë kjo, është e palogjikshme të mendohet se ky Ungjill u është shpifur të krishterëve nga ana e muslimanëve, kur dihet sigurisht se i njëjti mban autorësinë e njërit prej shenjtorëve më të mëdhenj të krishterimit-Barnabës, me të cilin emër nuk njihet ndonjë shenjtor tjetër, dhe i cili ka vend të posaçëm në historinë e krishterë. Ekzistenca e Ungjillit të tij ishte e njohur në mesin e dijetarëve të krishterë, prandaj Fra Marino thotë se e ka parë e studiuar letrën e Irineit, në të cilën ai kundërshtonte predikimet e shën Palit, duk sjellë si argument për këtë kundërshtim, citate nga Ungjilli i Barnabës.

Të dhënat historike cekin se shumë Ungjij janë shpallur si heretikë dhe leximi i tyre është ndaluar nga Kisha.
Ashtu siç cekëm më parë, Dr. Seade thotë: “Të dhënat historike flasin për një urdhër papnor të Gelasiusit të I-rë, i cili mori fronin papnor në vitin 492 e.r., në të cilin urdhër numëron disa libra, leximi i të cilave shpallet i ndaluar, e në mesin e këtyre librave gjendet edhe Ungjilli i Barnabës, ndonëse disa dijetarë të krishterë thonë se ky urdhër i Gelasiusit të I-rë për të cilin bëhet fjalë, është i falsifikuar dhe i shpifur”.

Por historia është më e saktë dhe më bindëse se pohimet e këtyre “pseudo-dijetarëve”, sepse historianët dëshmojnë se në realitet numri i Ungjijve të ndaluar ishte i shumtë, dhe nëse Papa Gelasiusi i I-rë e ka lëshuar këtë urdhër, ai veç ka vepruar si paraardhësit e tij, sikur që rrugën e tij e ndoqën edhe papët e tjerë pas tij.
Pra, nëse tërë kjo është e vërtetë në të cilën nuk ka dyshim, për ç’gjë dëshmon edhe historia, në bazë të të dhënave të pakontestueshme, atëherë mund të themi se Ungjilli i Barnabës ishte i njohur dhe i shpërndarë në mesin e të krishterëve, më shumë se dy shekuj para pejgamberisë së Muhamedit a.s.

Dr. Seade konstaton: “Po që se Ungjilli i Barnabës do të ishte i njohur në kohën e shpalljes, i dërguari i Allahut – Muhamedi a.s., do të dinte për të dhe do ta përdorte si argument pro tij”. Por ky pretendim është tërësisht i pabazë, sepse Muhamedit a.s. nuk dinte shkrim e as lexim, dhe as që kishte qëndruar për një kohë të gjatë në vendet ku mbizotëronte krishterimi, që të kishte kohë ta studionte këtë Ungjill. Pra, një gjë e tillë është joreale, sepse tashmë në kohën e Shpalljes, kishin kaluar mbi dy shekuj që ky Ungjill ishte shpallur i ndaluar, e dy shekuj janë të mjaftueshëm të zhduket çdo gjurmë e tij në kujtesën e njerëzve dhe çdo informacion apo shenjë që do të argumentonte për ekzistencën e tij.

Të krishterët në përmbajtjen e këtij Ungjilli gjejnë njohuri të sakta e të përpikta rreth Tevratit. Në lidhje me këtë fakt, Dr. Seade thotë: “Nëse thellohesh pak në përmbajtjen e këtij Ungjilli, mund të vëresh se autori i tij ka poseduar njohuri të thella rreth Dhiatës së Vjetër. Në mesin e dijetarëve të krishterë vështirë se mund të gjesh ndonjë të ngjashëm sikur Barnaba që mund të ketë njohuri kaq të thellë rreth kapitujve të Tevratit”. Të gjitha këto dëshmi, ndonëse ende duhet të verifikohen edhe në rrugë të tjera, megjithatë pakontestueshëm argumentojnë autorësinë e Barnabës për këtë Ungjill, sepse kopja origjinale e këtij dorëshkrimi është gjetur në një ambient qind për qind të krishterë, dhe para kësaj ishte botërisht i njohur fakti se Barnaba ishte autor i një Ungjilli.

Meqë Barnaba ishte një prej misionarëve të parë që shpërndau mesazhin e Isait a.s., puna e tij nuk ishte aspak më e vogël se sa ajo e Palit, siç është shënuar në veprat e “profetëve”, prandaj patjetër që Barnaba kishte edhe Ungjillin e tij.

Këto argumente dëshmojnë se Ungjilli i Barnabës që është zbuluar është i vërtetë për nga autorësia, dhe muslimanët nuk kanë ndërhyrë në të. Ata që ia atribuojnë muslimanëve sajesën e këtij Ungjilli, u ngjasojnë atyre njerëzve që në duart e tyre mbajnë diçka dhe mendojnë se atë që e mbajnë në duar është akuzë dhe kërcënim për ta, ndërkohë që pronësia e këtij gjësendi i mbështet dikujt tjetër duke mohuar fajësinë apo akuzën ndaj vetes, prandaj a është e logjikshme të pranohet ky mohim pa ndonjë argument përveç atij se ky gjësend është akuzë për të?! Shtrohet pyetja: A mund ta pranojë gjyqi këtë mohim? Dikush mund të thotë: Të gjitha këto të dhëna janë aproksimative, dhe jo edhe qind për qind të sakta, por ne themi: Shumica e të dhënave historike janë aproksimative dhe nuk janë qind për qind të sakta, prandaj nëse autorësia e Barnabës për këtë Ungjill është e tillë, ne megjithatë e pranojmë edhe si të tillë, sepse këtë gjë e pranojmë edhe në çështjet e tjera diskutabile, historike. Supozimi për një çështje rreth së cilës nuk ka argument, nuk na bën përshtypje, por supozimi në të cilin kemi një pikëmbështetje, megjithatë na shtyn të kemi qasje tjetër ndaj saj. Prandaj, ekzistenca e këtij Ungjilli në gjuhën e të krishterëve, në mesin e tyre dhe mbi të gjitha në bibliotekat e tyre papnore, është argument i qartë se muslimanët nuk kanë gisht në të. Se muslimanët nuk kanë gisht në autorësinë e këtij Ungjilli, këtë e kanë vërtetuar edhe hulumtuesit (studiuesit) prandaj përkundër supozimit se përkthyesi i këtij Ungjilli është me prejardhje arabe, mbetet vetëm supozim i paargumentuar. Ata që kanë trumbetuar me këtë supozim e kanë për detyrë ta bëjnë publik argumentin e tyre dhe ta sqarojnë historikun e shkrimit, kohën dhe autorësinë e tij.

Por Dr. Seade çuditërisht supozon se origjina e tij është arabe, meqë në faqet e dorëshkrimit në italisht, gjenden disa sqarime në arabisht, dhe atë në margjina (fusnota), në të cilat ceken disa paralajmërime për Muhamedin a.s., përkundër faktit se shënimet për këto paralajmërime janë simbolikisht në margjina e jo në tekstin origjinal.

Ne kundërshtojmë këtë supozim, sepse ekzistimi i këtyre sqarimeve margjinale në gjuhën arabe argumenton vetëm faktin se ai apo ata që e kanë lexuar këtë dorëshkrim, ka qenë njohës i dobët i gjuhës arabe, sepse shprehjet e shënuara në gjuhën arabe janë thënë me shumë gabime gjuhësore. Prandaj është shumë e çuditshme që për shkak të këtyre sqarimeve të shënuara në gjuhën arabe, të pretendohet se prejardhja e tij është arabe, ndërsa nuk merret si argument origjinali i tij në italishte, se prejardhja e tij është e krishterë….!

Ndërsa sa i përket paralajmërimeve për ardhjen e Muhamedit a.s. në këtë Ungjill, ato janë të natyrës deklarative e jo aluduese. Ne nuk jemi të mendimit se të gjitha përgëzimet që gjenden në librat fetarë janë aluduese, Natyrisht, disa prej tyre janë simbole dhe aludime, por kjo nuk nënkupton mohimin e sqarimit deklarativ.

Nëse e marrim si gjë të kryer faktin se çdo përgëzim është aludim e jo vërtetësi, atëherë teksti italisht që gjendet para nesh është përkthim e jo tekst origjinal, dhe mund të ndodhë që mbase përkthyesi e ka kuptuar drejt këtë kuptim, dhe në përkthimin e tij ka shmangur fjalën aludim, prandaj e ka theksuar fjalën vërtetësi (sqarim deklarativ) siç veprojnë të krishterët në shumicën e rasteve kur kanë përkthyer në gjuhët e tyre veprat, origjinali i të cilave është në gjuhën hebreje.

Është plotësisht e sigurt se Ungjilli i Barnabës nuk ka qenë i njohur në mesin muslimanëve as në shekujt e parë e as në të vonshmit, aq më parë kur dialogët ndërmjet tyre dhe të krishterëve janë zhvilluar në çdo shekull, dhe nuk është i njohur fakti se dikush prej muslimanëve ka përdorur si kundërargument kundër të krishterëve Ungjillin e Barnabës, përkundër asaj se në këtë Ungjill ka argumente aq të forta për të triumfuar ndaj të krishterëve. Prandaj supozimi dhe shpifja se ekzistimi i një kopjeje në gjuhën arabe ishte origjinali nga e cila është përkthyer dorëshkrimi në gjuhën italiane, është absolutisht i paqëndrueshëm dhe nuk ka mbështetje në asnjë argument, madje as si një vegim
Pra ky supozim është në kundërshtim të plotë me burimet e historisë islame, sepse po të ishte ndryshe, dialoguesi musliman do ta përdorte si argument të fuqishëm këtë Ungjill, meqë në të, vërtet ka argumente të fuqishme kundër doktrinës aktuale pagane të krishterë. Pra, shënimet historike, nuk kanë regjistruar asgjë të tillë rreth ekspozimit të teksteve të vjetra që të nxjerrin ndonjë argument përforcues, prandaj edhe nuk kanë hasur asgjë të tillë që do t’i përforconte argumentet e tyre kundër të krishterëve.

Ungjilli i Barnabës dallohet dhe karakterizohet me fuqinë ilustruese me mendime të thukëta e të thella, me urtësi të gjera dhe me përpikëri të pashoqe. Shprehjet e tij janë bindëse dhe të qarta, ndërsa kuptimet e tij janë në harmoni të plotë, saqë po të mos ishte libër fetar, në sferën e letërsisë dhe të urtësisë, do të ishte një libër bestseller.
Por a thua pse të krishterët e mohuan ekzistencën e këtij Ungjilli edhe përkundër faktit se autori i tij aspak nuk ngec në vlerë nga autorët e 4 Ungjijve të kanonizuar? Përgjigjja është e thjeshtë: Të krishterët e kundërshtuan dhe e refuzuan këtë Ungjill, për faktin se ky i kundërshton katër Ungjijtë e tyre zyrtarë, si dhe shkresat e shenjtorëve, mu në çështjet esenciale të dogmës së krishterë.

Ne kishim menduar se shfaqja e këtij Ungjilli do ta shtynte Kishën për të rishikuar dhe ristudiuar edhe njëherë burimet e fesë, që të shohin se cilët libra janë më të përafërt me krishterimin e ditëve të para: ky Ungjill i Bernabës i cili kundërshton Ungjijtë e tjerë pas tij apo Shkresat të cilat i trashëgoi kjo Kishë. Por fatkeqësisht ata nxituan ta refuzonin dhe ta mohonin këtë Ungjill, ashtu siç patën vepruar më parë paraardhësit e tyre.

Çështjet në të cilat e kundërshton ky Ungjill dogmën në të cilën sot besojnë të krishterët mund të përmblidhen në katër pika kryesore:

1. E para – Ky Ungjill nuk e konsideron Mesiun (Isain a.s.) për “djalë” të Zotit e as për zot. Këtë çështje e sqaron Barnaba qysh në parathënie kur thotë:
“Të dashurit e mi! I dashuri, Zoti i madh e i mrekullueshëm, gjatë ditëve të kaluara na ka vizituar me profetin e vet Isus Krishtin në përdëllimin e madh të mëshirës dhe mrekullisë, për çka shumica, duke u mashtruar nga Satana, nën pretekstin e besimit, i predikojnë dogmat më të pafe, duke e quajtur Isusin për bir të Zotit, duke hequr dorë prej rrethprerjes (synetisë), të cilën Zotit e ka urdhëruar përgjithmonë, dhe duke e lejuar çdo mish të papastër: në mesin e të cilëve Pali, po ashtu është mashtruar, për ç’gjë flas jo pa keqardhje; nga ky shkak unë shkruaj atë të vërtetë të cilën e kam parë dhe dëgjuar.”[2]

Ndërsa në fund të kapitullit të 93 dhe në fillim të atij 94, thotë:
“Prifti u përgjigj: „Tanimë Judeja është tejet e shqetësuar me shenjat e tua dhe me mësimin tënd, saqë ata bërtasin se ti je Zoti, prandaj unë i shtyrë nga populli, kam ardhur këtu me guvernatorin romak dhe mbretin Herod. Ne të lusim, thellësisht nga zemra, që ta qetësosh kryengritjen, e cila është ngritur për shkak teje. Ngase, disa thonë se ti je Zotit, disa thonë se ti je i biri i Zotit, e disa thonë së ti je profet.”
Isusi u përgjigj: “E ti o kryeprift i Zotit, përse ti nuk e ke qetësuar këtë rebelim? Po a ke lojtur edhe ti po ashtu nga mendtë? Po a kështu ka rënë në harresë të profetizuarit për ligjet e Zotit, o e mjera Judejë, prej Satane e mashtruar.”
Dhe me të thënë këtë, Isusi përsëri tha: “Unë dëshmoj para qiellit dhe ftoj për dëshmitarë krejt ç’jeton në tokë, se për mua është e huaj krejt ç’kanë thënë njerëzit për mua, përkatësisht se unë jam (diç) më shumë se njeri. Ngase, unë jam njeri, i lindur prej gruas, i nënshtruar gjykimit të Zotit, i cili jeton këtu si dhe njerëzit e tjerë, i nënshtruar vuajtjeve të zakonshme.”[3]

Ndërsa në kapitullin 70 thotë:
“Isusi pyeti: “E ju, ç’thoni ju se jam unë? Pjetri tha: “Ti je Krishti, i biri i Zotit! Atëherë Isusi u hidhërua shumë dhe me mllef e qortoi: “Shko dhe më lër, ngase ti je djalli dhe kërkon që të bësh kundërvajtje”[4]

2. E dyta – I sakrifikuari, të cilin Ibrahimi a.s. e afroi për kurban, ishte Ismaili a.s. e jo Is’haku, siç përmendet në Tevrat dhe ashtu siç besojnë sot të krishterët.
Ky është teksti që ka ardhur në Ungjillin e Barnabës nëpërmjet gjuhës së Isait a.s.:
“Me të vërtetë po ju them se nëse ju shqyrtoni fjalët e engjëllit Gabriel, do të zbuloni qëllimin e keq të ligjnjohësve dhe të mësuesve tanë, ngase engjëlli ka thënë: “Abraham, e tërë bota do ta dijë se sa të do Zoti, por si do ta dijë bota dashurinë të cilën e mban ti ndaj Zotit? Sigurisht se është e nevojshme që ti duhet të bësh diçka për dashurinë ndaj Zotit”. Abrahami u përgjigj: “Ja shërbëtori i Zotit është i gatshëm që ta bëjë krejt atë çka dëshiron Zoti”.

Pastaj ka folur Zoti, duke i thënë Abrahamit: “Merre birin tënd të parëlindur Jishmaelin dhe hip në mal që ta flijosh! Si mund të jetë Is’haku i parëlinduri, kur dihet se kur u lind Ishaku, Jishmaeli i ka pasur shtatë vjet?”[5]

3. E treta – Ashtu siç cek Dr. Seade: “Mesia apo Mesihu i pritur (Shpëtimtari) nuk është Jezusi (Isusi) por Muhamedi”. Ai e përmend Muhamedin me emër të drejtpërdrejtë, duke e përsëritur këtë gjë në kapitujt shtesë, duke thënë se ai është i dërguar i Allahut, dhe se kur Ademi a.s. u dëbua nga Xheneti, kishte parë disa rreshta të shkruar mbi dyert e Xhenetit me shkronja nga nuri (drita): “La ilahe il-la Allah-Muhammedun resulullah”- Nuk ka Zot tjetër pos Allahut dhe Muhamedi është i dërguar i Allahut”.

Jezusi, ashtu siç ka ardhur në Ungjillin e Barnabës ka thënë:
“Isusi u përgjigj: “Mrekullitë të cilat i bën Zoti me duart e mia, tregojnë se unë e flas atë çka dëshiron Zoti; unë as që e llogaris veten si ai për të cilin flisni. Ngase unë nuk jam i denjë për t’ia zgjidhur spangot në mbathjet e të Dërguarit të Zotit, të cilin ju e quani “Mesia”, i cili është krijuar para meje e do të vijë pas meje, edhe fjalët e së vërtetës do t’i sjellë, ashtu që feja e tij nuk do të ketë fund.”[6]

Lexues i nderuar, në kapitujt 43-44, të Ungjillit të Barnabës, do të gjesh argumente të mjaftueshme për paralajmërimet e Isusit në lidhje me ardhjen e Muhamedit a.s, sepse nxënësit e tij i kërkuan duke e përberë, që t’u fliste qartë për të Dërguarin e fundit të Allahut që do të vinte në këtë botë-Muhamedin a.s., kështu që ai na kishte sqaruar të vërtetën rreth tij dhe pozitën e tij të lartë.

4. E katërta – Ky Ungjill sqaron se Isai a.s. nuk u kryqëzua por u përngjau atyre sepse Allahu e ngjasoi me Judën, përse Barnaba thotë:
“Me të vërtetë ju them se zëri, fytyra dhe personi i Judës ishte aq i ngjashëm me të Isusit saqë nxënësit e tij dhe besimtarët krejtësisht mendonin se ai ishte Isusi; prandaj për këtë, disa hoqën dorë nga mësimet e Isusit, duke besuar se Isusi ishte profet i rrejshëm dhe se me aftësi magjistari i kishte bërë mrekullitë, të cilat i kishte bërë: ngase Isusi kishte thënë se ai nuk do të vdesë deri në përfundim të botës; ngase në atë kohë ai do të merret nga bota.”[7]

Pastaj Barnaba sqaron se Jezusi kërkoi nga Zoti që ta zbriste në tokë për ta parë nënën dhe nxënësit e tij. Ai zbriti dhe qëndroi në tokë 3 ditë ndërsa Barnaba vazhdon e thotë: “Dhe ai (Jezusi) i qortoi shumicën të cilët kishin besuar se ai kishte vdekur dhe përsëri ishte ngritur, duke thënë: “Ju a mua dhe Zotin na mendoni për gënjeshtarë? Ngase ashtu siç ju kam thënë: Zoti më ka dhuruar që të jetoj gati deri në përfundimin e botës. Unë po ju them, unë nuk kam vdekur, por Juda tradhtari. Ruajuni, ngase Satana do të bëjë çdo gjë për t’ju mashtruar dhe bëhuni dëshmitarët e mi në Izraelin tuaj dhe në tërë botën, për të gjitha gjërat për të cilat keni dëgjuar e parë.”[8]

Ky pra është Ungjilli i Barnabës dhe këto janë çështjet esenciale me të cilat ai është në kundërshtim me Ungjijtë e tjerë. Në fakt, ai ka kundërshtuar tërë krishterimin aktual, në gjërat thelbësore me të cilat njihet sot. Ky krishterizëm dallohet me trinitetin se Jezusi është bir i Zotit, se është vetë zoti. Ky është simboli i krishterizmit me të cilin veçohet, ndërsa ky Ungjill në mënyrë kategorike hedh poshtë të gjitha këto shpifje e blasfemi.
Pasi që kundërshtimet e tij kundër besimit aktual të krishterë janë aq të forta dhe bindëse dhe meqë po ashtu konsiderohet si njëri ndër shenjtorët më të mëdhenj të krishterizmit, do të ishte e natyrshme që shfaqja e Ungjillit të tij në mesin e vetë të krishterëve, sidomos në bibliotekat e atyre që nuk mund të akuzohen për ndonjë komplot kundër krishterizmit, e as që mund të akuzohen se nuk duan që krishterizmi të jetë i respektuar e me vlerë- të shkaktonte dridhje të tmerrshme intelektuale, shkaku i së cilës u trazuan ndjenjat dhe debatet. Por kisha dhe fanatikët e krishterë, e refuzuan këtë Ungjill, kategorikisht, meqë në të kishte gjëra që ishin të panjohura dhe të papranueshme për dogmën e tyre. Ata as që lodhin mendjen për ta studiuar këtë Ungjill me një studim të mirëfilltë shkencor, që ose do ta refuzonin në tërësi, ose do ta pranonin një pjesë të tij, ose do ta refuzonin një pjesë të tij, i cili do të argumentohej se është në kundërshtim me mësimet e mirëfillta të Jezusit, për të cilat kanë transmetime më besnike e më të sigurta se sa ai i Barnabës.

Por shkencëtarët, e mirëfilltë detyra parësore e të cilëve është hulumtimi dhe analiza, u morën me studimin e tij duke bërë një krahasim dhe analizë të tij me tekstet e Tevratit, Ungjijve dhe të Letrave të misionarëve të tyre si dhe me Kuranin famëlartë dhe me hadithet e Pejgamberit a.s.. Si përfundim i studimit të tyre ishte fakti se ky Ungjill është larg asaj të jetë ujitur e inspiruar nga burimet e Kuranit famëlartë e as nga mësimet e njohura rreth këtyre çështjeve, në mesin e muslimanëve.

Për hir të korrektësisë, ofrimit të ndihmës dhe shërbimit që mund t’i bëhet feve dhe njerëzimit në përgjithësi, do të ishte e udhës që Kisha të interesohej për studimin e tij kritik, që neve ta na sqarojë me argumente kundërshtimet e saj rreth këtij Ungjilli, që të bënte një analizë mes tij dhe letrave të shën Palit, në mënyrë që lexuesit dhe hulumtuesit t’ia bënte të njohur se cila rrugë është më e drejtë për ta ndjekur dhe cila doktrinë është më e saktë dhe më e besueshme: ajo e Barnabës apo ajo e shën Palit.

***
Allahu xh.sh. në Kuran thotë:
“Mesihu, biri i Merjemes, nuk është tjetër vetëm se i dërguar; para tij pati shumë të dërguar. Nëna e tij ishte e drejtë (e ndershme). Që të dy ata ishin që ushqeheshin (si njerëzit tjerë)…” – (El-Maide, 75)

Dijetarët thonë: “Është quajtur “Mesih” sepse e ka shkelur tokën dhe ka lëvizur nëpër të, në të shumtën e rasteve duke mbrojtur fenë e tij nga fitnet e asaj kohe, për shkak të përgënjeshtrimit të ashpër të hebrenjve ndaj tij dhe për shkak të shpifjeve e akuzave që sajuan ata kundër tij dhe nënës së tij, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi ta.
Dijetarët transmetojnë rrëfime të shumta për dëlirësinë dhe pastërtinë shpirtërore të Isait a.s.

Transmetohet nga Ebu Hurejra r.a. e ky nga i Dërguari i Allahut s.a.v.s. të ketë thënë: “Një ditë Isai a.s. pa një njeri duke vjedhur dhe i tha: O filan, a vodhe? Ai ia ktheu: -Jo për Zotin, nuk vodha. Atëherë Isai a.s.tha: I besoj Allahut dhe përgënjeshtrova shikimin tim”.
Kjo tregon për natyrën dhe karakterin e tij të pastër, meqë betimin e këtij njeriu e vendosi para asaj çka i panë sytë e tij, duke qenë i bindur se askush nuk guxon të betohet rrejshëm në madhështinë e Allahut xh.sh.. Prandaj pranoi betimin e tij dhe përgënjeshtroi vetveten duke thënë: I besoj Allahut, që nënkupton, të besova kur u betove në Allahun dhe përgënjeshtrova të parit e mi, sepse u betove.

Transmetohet se një ditë Isai a.s. së bashku me shokët e tij kishte kaluar pranë kërmës së një qeni të ngordhur. Qeni i ngordhur kundërmonte erë aq të rëndë saqë shokët e tij folën keq për këtë kundërmim të rëndë, ndërsa ai iu tha: Shikoni se sa të bardhë i ka dhëmbët!”
Isai a.s. dëshironte t’i mësonte njerëzit si të ishin të kujdesshëm dhe të shmangnin fytyrat e tyre kur të shihnin diçka të shëmtuar, dhe që në krijesa të shihnin vetëm gjërat e bukura. Thirrja e tij ishte kulm i ngritjes shpirtërore dhe shëmbëlltyrë e përkryer, për ta nxjerrë të bukurën nga e shëmtuara.

Muhamedi a.s. thotë:
“Pejgamberët janë vëllezër. Feja e tyre është një, ndërsa nënat i kanë të ndryshme. Unë jam njeriu më i afërt me Isanë, të birin e Merjemes, sepse në mes tij dhe meje nuk ka pasur pejgamberë”.

Nëpër gjurmë të transmetimeve është cekur se Isai a.s. do të zbresë në Ahir Zeman (pak para përfundimit të jetës në këtë botë). Islami e ka nderuar Isain a.s. me nderim të veçantë, ashtu siç përkon për një pejgamber prej pejgamberëve më të zgjedhur nga “Ulul Azmi”. Islami e quan Isain a.s. të dërguar të Allahut. E quan Fjalë të Zotit me të cilën e frymëzoi

Merjemen, ashtu siç e quan shpirt të krijuar me urdhrin e Allahut, kur në Kuran thuhet:
“O ithtarët e librit, mos teproni në fenë tuaj dhe mos thoni tjetër gjë për Allahun, përveç asaj që është e vërtetë. Mesihu, Isa, bir i Merjemes, ishte vetëm i dërguar i Allahut. Ishte fjalë e Tij (bëhu) që ia drejtoi Merjemes dhe ishte frymë (shpirt) nga Ai. Besojeni pra Allahun dhe të dërguarin e Tij e mos thoni: “Tre” (trini). Pushoni (së thëni), se është më mirë për ju. Allahu është vetëm një Allah; larg qoftë asaj që Ai të ketë fëmijë. Ç’ka në qiej dhe ç’ka në tokë është vetëm e Tij. Mjafton që Allahu është planifikues i pavarur. Mesihu nuk tërhiqet prej asaj se është rob i Allahut, nuk tërhiqen as engjëjt më të zgjedhur. Kush tërhiqet prej adhurimit ndaj Tij dhe bën mendjemadhësi, Ai do t’i ringjallë dhe do t’i tubojë të gjithë pranë Tij. E përsa u përket atyre që besuan dhe vepruan mirë, atyre do tu përmbushet shpërblimi i merituar, por edhe do t’iu shtohet prej dhuntisë së Tij. Për sa i përket atyre që u tërhoqën dhe mbajtën veten kryelartë, ata do t’i ndëshkojë me një ndëshkim fort të dhimbshëm dhe pos Allahut nuk do t’i gjejnë vetes as mbrojtës as ndihmës.” – (En-Nisa’ë, 171-173)

***
Ibn Kethiri në veprën e tij “Kisasul Enbija’ë”-‘Rrëfimet e pejgamberëve” thotë: “Pas ngritjes së Isait a.s. në qiell, shokët e tij patën mospajtime në mes vete për faktin nëse:
– Isai a.s. ishte ndër ta si rob i Allahut dhe i dërguar i Tij
– nëse ai ishte zoti!, apo
– nëse ai ishte djalë i zotit!

Ata po ashtu patën mospajtime edhe në transmetimin e Ungjijve në katër versione. Secili duke dalluar prej tjetrit me shtesa dhe mungesa, falsifikim dhe ndryshim të tekstit.
Mirëpo Kurani famëlartë e ka bërë shumë të qartë kur konfirmon prerë se Allahu i Lartmadhërshëm është i zhveshur nga të pasurit ortak në sundim, nga të pasurit fëmijë ose diçka të ngjashme, nga trupëzimi, nga transformimi, nga afërsia, nga largësia dhe nga të arriturat e shikimeve.

Allahu xh.sh. në kaptinën “El-Ihlas” thotë:
“Thuaj: Ai, Allahu është Një! Allahu është Ai që çdo krijesë i drejtohet (i mbështetet) për çdo nevojë. As s’ka lindur kë, as nuk është i lindur. Dhe Atij askush nuk i është i barabartë.” – (El-Ihlas, 1-4)

Ndërsa për Isain a.s., në Kuran thotë:
“Vërtet, çështja e Isait (të lindur pa baba) tek Allahu është sikurse çështja e Ademit. Atë e krijoi nga dheu, e pastaj i tha: “Bëhu”! dhe ai u bë.” – (Ali Imran, 59)

Në kaptinën El-Bekare thotë:
“Ata (ithtarët e librit) thanë: “Allahu ka fëmijë”!? I pastër është Ai nga kjo e metë! E Tij është gjithçka në qiej e në tokë, gjithçka i është nënshtruar Atij. Ai është shpikës i qiejve e i tokës (pa kurrfarë modeli të mëparshëm) e kur dëshiron diçka, ai vetëm i thotë: “Bëhu!”, në atë moment bëhet.” – (El-Bekare, 116-117)

Në kaptinën Et-Tevbe, thotë:
“E jehuditë thanë: Uzejri është djali i Allahut, e të krishterët thanë: Mesihu është djalë i Allahut. Ato ishin thënie me gojët e tyre (fraza të thata), që imitojnë thëniet e jobesimtarëve të mëhershëm. Allahu i vraftë, si largohen (nga e vërteta)!” – (Et-Tevbe, 30)

Ky tekst kuranor jep shenjë për paganizmin e egjiptianëve dhe popujve të tjerë të vjetër, të cilat besime përmbanin besimin e kryqëzimit, sakrifikimit, ngritjes së zotit vetëflijues dhe damkosjen e pasuesve të tij me mosbesim pas vdekjes së tij

Allahu xh.sh. në kaptinën El-Maide, ajeti 17 thotë:
“E mohuan (e bënë kufër) të vërtetën ata që thanë se: “Zot është ai, Mesihu bir i Merjemes.” Thuaju: “ Nëse dëshiron Allahu ta shkatërrojë Mesihun, birin e Merjemes, nënën e tij dhe gjithë ç’ka në tokë, kush mund ta pengojë atë?” Vetëm Atij i takon pushteti i qiejve, i tokës dhe ç’ka në mes tyre. Ai krijon çdo gjë që dëshiron. Allahu është i gjithëfuqishëm për çdo gjë.”

Kurse në ajetin 73 të po kësaj kaptine thotë:
“Gjithashtu bënë kufër (mosbesim) ata që thanë: “Allahu është i treti i treve”. S’ka në gjithësi tjetër pos një Allahu, e nëse nuk pushojnë nga ajo që thanë (tre zota), do t’i kapë dënim i dhembshëm ata që nuk besuan prej tyre.”

Në këtë mënyrë, Kurani ka theksuar qëndrimet e kundërta të fraksioneve brenda krishterimit, të cilat u shfaqën pas ngritjes së Isait a.s., duke sqaruar se Isai ishte rob i Allahut dhe i dërguar i Tij, të cilin i Lartmadhërishmi e dërgoi te beni israilët.
Fjala “abd-rob” dhe “resul-i dërguar’, janë shumë të qarta, ndërsa fjalët: “El-Kelimetu-Fjalë” dhe “Er-Rruh-Shpirt”, meritojnë një sqarim pak më të thellë.
Muslimanët e kuptojnë se fjala “El-Kelimetu’ është dhuratë-udhëzim dhe mrekulli e Allahut, frymëzuar në trupin e Merjemes.

Ndërsa fjalën “Er-Rruh”, muslimanët e kuptojnë si fjalë që dëfton për “Shpirtin e Shenjtë”- Xhibrilin a.s.. Pra Allahu xh.sh. e ka fuqizuar të dërguarin e Tij me shpirtin e shenjtë. ose – Xhibrilin a.s.
“…kur të fuqizova me shpirtin e shenjtë (Xhibrilin)” – (El-Maide, 110)

Pas paraqitjes së besimit të krishterë rreth natyrës së Isait a.s. dhe, fundit të tij dhe pas sqarimit të së vërtetës për të cilën na lajmëroi Allahu xh.sh. rreth natyrës së vërtetë njerëzore të Isait a.s., dëshirojmë të dimë se si duhet të sillen muslimanët në raport me të krishterët dhe me besimin e tyre.
Feja islame në shumë tekste ka potencuar qartë duke veçuar fenë e krishterë apo duke e trajtuar më me dashuri sesa fetë e tjera. Kurani kategorikisht e mohoi anën hyjnore të Isait a.s., duke e mohuar kryqëzimin dhe sakrifikimin e tij, por në anën tjetër, në disa tekste të tjera sqaroi se krishterizmi është feja më e afërt në dashuri ndaj Islamit.

Allahu në Kuranin famëlartë thotë;
“Gjithqysh ti do të vëresh se jehuditë dhe ata që i përshkruan Zotit shok (idhujtarët) janë njerëzit me armiqësi të fortë kundër besimtarëve (kundër muslimanëve). Ndërsa do të vëresh se më të afërmit si miq për besimtarët janë ata që thanë: “Ne jemi nesara-krishterë”. Këtë ngase prej tyre (të krishterëve) ka dijetarë (ulema) dhe të devotshëm, dhe se ata nuk janë kryeneçë.” – (El-Maide, 82)
Allahu xh.sh. ka lavdëruar pasuesit e Isait a.s., të cilët pranuan udhëzimin e tij.
Në lidhje me këtë, i Lartmadhërishmi thotë:
“e në zemrat e ithtarëve të tij dhuruam butësi e mëshirë, ndërsa murgjërinë ata vetë e shpikën. Ne atë nuk ua bëmë obligim atyre, mirëpo edhe pse kishin për qëllim me të vetëm ta arrijnë kënaqësinë e Allahut…” – (El-Hadid, 27)

Nga këto dy qëndrime absolutisht nuk ka kundërthënie sepse mohimi i hyjnores së Isait a.s. nga ana e Kuranit në njërën anë dhe pranimi i faktit për ndjenjat e dashurisë ndaj të krishterëve dhe lavdërimi i pasuesve të mirëfilltë të Isait a.s. në këtë botë, nënkupton më shumë se një gjë:

– Krishterizmi në esencën dhe në fillimin e tij ishte fe monoteiste dhe vështirë se të gjithë pasuesit e tij mund ta kenë braktisur, ndonëse vetëm Allahu i plotfuqishëm e di se çfarë në realitet fshehin zemrat.

– Në mesin e të krishterëve ka priftërinj dhe murgjar që nuk bëjnë mendjemadhësi ndaj Allahut xh.sh. por i nënshtrohen Atij me urtësi.

– Në zemrat e disa prej atyre që pasojnë Isain a.s. ka butësi dhe mëshirë, që d.m.th. se butësia dhe mëshira lindin vetëm nga besimi në Ditën e Fundit.

Allahu xh.sh. ka urdhëruar muslimanët që me pjesëtarët e “Ehli Kitabit” – (pasuesve të Librave hyjnorë) të sillemi në mënyrë fisnike, ashtu siç Islami i garanton secilit jomusliman lirinë e besimit.
Allahu në Kuran ka thënë:
“Sikur të kishte dashur Zoti yt, do T’i besonin çka janë në tokë që të gjithë. A ti do t’i detyrosh njerëzit të bëhen besimtarë?” – (Junus, 99)
Po ashtu në kaptinën El-Bekare, ajeti 256 thotë:
“Në fe nuk ka dhunë. Është sqaruar e vërteta nga e kota…”

Gjithashtu në kaptinën Ali Imran, ajeti 64 thotë:
“Thuaju (o i dërguar): “O ithtarë të librit (Tevrat e Ungjill), ejani (të bashkohemi) te një fjalë që është e njëjtë (e drejtë) mes nesh dhe mes jush: Të mos adhurojmë, pos Allahut, të mos ia bëjmë Atij asnjë send shok, të mos e konsiderojmë njëri – tjetrin zota pos Allahut”! E në qoftë se ata refuzojnë, ju thoni: “Dëshmoni pra, se ne jemi muslimanë (besuam një Zot)”.

Nga të gjitha këto ajete kuranore, vërejmë se ato kryesisht flasin për sjelljen ndaj të krishterëve si individë, ashtu siç flasin edhe për sjelljen ndaj besimit të tyre si besim.
Në lidhje me të krishterët si individë, shohim se ajetet urdhërojnë që atyre t’ua kthejnë dashurinë e ndërsjellë meqë edhe ashtu sqaron që njerëzit më të afërt në dashuri ndaj muslimanëve janë të krishterët. Dhe meqë Allahu i Lartmadhërishëm e bëri të qartë këtë gjë, atëherë është detyrim për muslimanët që të krishterëve, dashurinë t’ua kthejnë me dashuri. Ndërsa sa i përket besimit të tyre, në Kuran ka ajete që ndalojnë të urrehen njerëzit në çfarëdo forme qoftë, për shkak se besojnë ndryshe.

Të lutem medito pak më thellë në lidhje me këto fjalë të Allahut :
“E ti thuaj: “E vërteta është nga Zoti juaj, e kush të dojë, le të besojë, e kush të dojë, le të mohojë.” – (El-Kehf, 29)

Kjo ngaqë Imani me dhunë nuk është besim. Atij i mungon liria e zgjedhjes, e cila është kusht i besimit. Madje mund të themi se ky qëndrim është kusht i plotësimit të Islamit. Ne duhet t’i përmbahemi këtij parimi pa u thelluar më tepër në komentimin e këtyre ajeteve, duke kërkuar paraprakisht falje e mëshirë nga Allahu, për gabimet dhe lëshimet e mundshme. Ne llogarisim se Islami me këtë qëndrim ka dashur të shmangë të gjithë pasuesit e tij nga ky debat i gjatë dhe i panevojshëm rreth besimeve të të tjerëve. Ky lloj dialogu zaten edhe ashtu nuk sjell ndonjë fryt që ia vlen të ceket. Kurse dijetarët kanë të drejtë të hulumtojnë në çdo fe, siç dëshirojnë, sepse kjo edhe është detyrë e tyre, por popullatës së rëndomtë muslimane, u mjafton të merren me vetveten dhe me besimin e tyre.

Dallimet ndërfetare, si dhe sektet e shumta në mesin e të krishterëve dhe të hebrenjve, e bëjnë këtë dialog vetëm humbje kohe dhe shpenzim të panevojshëm të energjisë.
Në fillet e para të islamit, muslimanët ndërtuan së pari personalitetin individual e pas këtij procesi, filluan ta ndërtonin shtetin islam, dhe nuk kemi dëgjuar që ndonjëri prej tyre të jetë ngatërruar në rrjetin e komunikimit, i cili faktikisht është i pafund rreth besimit të të tjerëve.

S’ka dyshim se udhëzimi i të tjerëve në rrugën e Allahut xh.sh është punë e mrekullueshme, por ky udhëzim së pari obligon udhëzimin e vetvetes në rrugën e Allahut.
Dhe, nëse muslimanët do të udhëzonin së pari veten në rrugën e Allahut xh.sh., s’ka dyshim se Allahu xh.sh. do të udhëzonte nëpërmjet tyre kë do të dëshironte prej robërve të tjerë.

***
Kurani famëlartë ka zbuluar dy mrekulli të Isait a.s., të cilat nuk janë të përmendura në asnjërin prej Ungjijve: mrekullinë e të folurit duke qenë foshnjë e sapolindur në djep dhe mrekullinë e zbritjes së sofrës nga qielli për apostujt, si dhe vërtetoi (kerametin) e tij kur u shpëtua nga duart e hebrenjve dhe nuk u lejua ndëshkimi e as mbytja e tij, por u ngrit në qiell.

I dërguari ynë-Muhamedi a.s. na ka porositur të sillemi mirë me të krishterët. Ai madje edhe u martua me Marijen, një kopte nga Egjipti.
Ibn Xheriri transmeton nga Ibn Abasi se një burrë nga fisi Beni Selim bin Avf, me emrin Husajn kishte dy djem të krishterë. Ky kishte pranuar Islamin dhe kishte pyetur Resulullahun s.a.v.s. nëse ishte i obliguar të detyronte nën presion dy djemtë e tij që ta përqafonin Islamin, të cilën gjë ata më parë e kishin refuzuar, sepse dëshironin të vazhdonin të jetonin si të krishterë.
Në lidhje me këtë Allahu xh.sh. thotë:
“Në fe nuk ka dhunë…” – (El-Bekare, 256)

Pastaj, kur i erdhi Resulullahut s.a.v.s., delegacioni i të krishterëve të Nexhranit, për bisedime, ai ua pati lëshuar gjysmën e xhamisë për ta kryer në të meshën (ritualin) e tyre fetare.

– Një ditë, derisa po parakalonte një xhenaze, i dërguari i Allahut u ngrit në shenjë nderimi. Dikush i tha se i vdekuri ishte hebre, në çka ai u përgjigj: – A nuk është qenie njerëzore?

– Po ashtu, Pejgamberi a.s. ka thënë: “Atij që e keqtrajton mizorisht një hebre apo të krishterë, në Ditën e Gjykimit do t’i bëhem armik. Mbretëria e kufrit mund të ketë jetë të gjatë, por mbretëria e mizorisë është jetëshkurtër.

***
Dijetarët muslimanë kanë disa mospajtime rreth Isait a.s. dhe gjendjes së tij pas ngritjes në qiell. Ata janë unik rreth faktit se ai nuk është kryqëzuar, por Allahu xh.sh. e ngriti në qiell, pranë Vetes, por pika rreth së cilës kanë mospajtime është nëse pas ngritjes së tij në qiell, është ende i gjallë, apo ka vdekur siç vdesin të gjithë të dërguarit e Allahut ?

Shumica e dijetarëve (xhumhuri) janë të mendimit se Allahu xh.sh. e ka ngritur pranë Vetes Isain a.s. me trup dhe me shpirt. Ky grup, marrin si argument kuptimin sipërfaqësor të ajetit:
“Përkundrazi, Allahu e ngriti atë pranë Vetes” – (En-Nisa’ë, 158)
Madje në favor të këtij mendimi ka edhe disa hadithe që flasin në rreth kësaj.
Ndërkohë që grupi tjetër i dijetarëve (komentuesve), e që janë më të pakët në numër, thonë se Isai a.s. ka jetuar derisa Allahu nuk e ka vdekur, ashtu siç vdesin të dërguarit e Allahut, pastaj e ka ngritur shpirtin e tij pranë Vetes, ashtu siç ngrihen pranë Tij edhe shpirtrat e pejgamberëve, të sinqertëve dhe të devotshmëve. Ata këtë mendim e mbështesin po ashtu në kuptimin sipërfaqësor të ajetit:
“(Përkujto, o i dërguar) Kur Allahu tha: “O Isa, Unë po të marr ty, po të ngre te Unë, po të shpëtoj prej sherrit të atyre që nuk besuan” – (Ali Imran, 55)

Por ne megjithatë anojmë nga mendimi i parë duke përzgjedhur atë si më të saktë, për shkak të lidhshmërisë së kësaj ngjarjeje, si një mrekulli, ashtu siç ishte mrekulli e mbinatyrshme edhe vetë lindja e tij. Pa dyshim, vetë jeta dhe dëlirësia e tij, së bashku me lindjen dhe ngritjen e tij në qiell, ishin mrekulli të mbinatyrshme nga ana e Allahut të Plotfuqishëm.

________________
[1] Ungjilli sipas Barnabës, fq. 161-162, kapitulli 215-216.
[2] Ungjilli sipas Barnabës, fq. 12.
[3] Ungjilli sipas Barnabës, kapitulli 93-94, fq. 79-80.
[4] Ungjilli sipas Barnabës, kapitulli 70, fq. 63.
[5] Ungjilli sipas Barnabës, kapitulli 44, fq. 44.
[6] Ungjilli sipas Barnabës, kapitulli 42, fq. 43.
[7] Ungjilli sipas Barnabës, kapitulli 217, fq. 165.
[8] Ungjilli sipas Barnabës, kapitulli 221, fq. 167.

 

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0