Vajzat myslimane shqiptare të Korçës shkonin në shkollë që 500 vjet më parë

VAJZAT MYSLIMANE TE KORÇES SHKONIN NË SHKOLLË QË 500 VJET MË PARË

Shkolla e parë në Shqipëri për vajza dhe djem u ndërtua në Korçë 500 vjet më parë nga themeluesi i saj, Iljaz bej Mirahori. Deri më sot si shkolla më të hershme të vendit janë përmendur shkolla e fshatit Velë në Mirditë, ndërtuar më 1632, shkolla e Pdhanës (Pllanës) më 1638, e Troshanës më 1639, e qytetit të Shkodrës më 1689 etj, por më e hershmja nga të gjitha këto, vijon të mbetet shkolla e Mirahorit, e ndërtuar në vitin 1496. Kjo shkollë, (medreseja), ishte e pajisur edhe me bibliotekë ku ruheshin librat e autorëve më të njohur të botës. Vajzat dhe djemtë mësonin bashkë në të njëjtën shkollë (ndërtesë). Përveç fëmijëve, në këtë shkollë mund të mësonte edhe çdo njeri tjetër që dëshironte, i ri apo i moshuar, burrë apo grua. Dyert e shkollës ishin të hapura për të gjithë. Për të rriturit që vazhdonin shkollën kishte favorizime me qëllim që të nxitej shkollimi i tyre. Me kalimin e viteve, shkolla e Mirahorit zgjoi te studentët ëndrrën për të vazhduar studimet e larta në universitetet e Stambollit për shkencat politike, për drejtësi, inxhinieri, arkitekturë etj. Të gjitha këto do t’i gjeni të shpjeguara më poshtë.

Themelimi i qytetit të Korçës nisi me ndërtimin e Xhamisë së Madhe që besimtarët myslimanë të kishin ku të faleshin. Mirahori flet me të njëjtin nderim si për besimtarët meshkuj ashtu edhe për besimtaret femra. Kjo gjë vihet re edhe në dekretin perandorak të vitit 1504-1505, ku përmenden si besimtarët myslimanë ashtu edhe besimtaret myslimane. Më konkretisht në këtë dekret thuhet: Mirahori “…ngriti e ndërtoi një faltore të shenjtë, të cilën e la vakëf për gjithë ata myslimanë e myslimane që duan të falin në të çdo falje”. (Pjesë nga dekreti perandorak, kthimi i pronave të Mirahorit në vakëfe).

Krahas Xhamisë së Madhe, ndërtimi i së cilës zgjati 10 vjet (1486-1496), u ndërtua edhe shkolla e vajzave dhe djemve. Nga dekreti i përmendur më sipër, citojmë: Mirahori “ngriti e ndërtoi pastaj… një shkollë të bukur e të hijshme. Pastaj caktoi këtë si vakëf për gjithë ata djem dhe vajza myslimane që vazhdojnë të mësojnë këndimin e Kuranit e të studiojnë dituri të tjera”. (Pjesë nga dekreti perandorak, kthimi i pronave të Mirahorit në vakëfe).

Për Mirahorin nuk kishte gjë më të rëndësishme sesa ndërtimi i shkollave, sepse, sipas tij, asgjë nuk ka vlerë më shumë se dituria; ajo trashëgohet brezi pas brezi, gjithçka tjetër vdes. Mirahori ishte njeri i studiuar, pedagogu më i preferuar i sulltan Bajazitit II. Edhe në Stamboll, gjatë kohës të qëndrimit atje, veç ndërtimeve të tjera, ndërtoi edhe një xhami dhe një shkollë: “Edhe mbasi e dinte se çka bën njeriu humb, e çka vesh griset, e çka jep falas e për lëmoshë vazhdon, ngriti e ndërtoi pra, me mallin e tij të pastër e me pasurinë e tij të kulluar, në përputhje me dispozitat e Kuranit të Shenjtë dhe me nxitjen e të thënës së Profetit: Një xhami të shenjtë të hijshme, të lartë, artistike, themeluar për hir të Perëndisë në Kostandinopojë, afër kululer (7 kullat). Pastaj e bëri vakëf këtë xhami për të gjithë ata njerëz që duan të falin pesë kohët e detyrueshme dhe falje të tjera dhe të këndojë në Kuran. Ngriti e ndërtoi gjithashtu edhe një shkollë përballë kësaj xhamie”. (Pjesë nga dekreti perandorak, kthimi i pronave të Mirahorit në vakëfe).

Pranë xhamisë së Stambollit u ndërtua edhe një xhild-hane (bibliotekë): “Edhe për shehun e dervishët e tij që banojnë në dhomat e quajtura xhildë-hane e që janë përballë xhamisë në fjalë, cakton 20 derhem për çdo ditë…”. (Pjesë nga dekreti perandorak, kthimi i pronave të Mirahorit në vakëfe).

Sipas Mytevelinjve, pasardhës të Mirahorëve, xhild-hanet (bibliotekat) ishin, zakonisht, pjesë e xhamive, ku përveç librave të fesë, mbaheshin edhe librat më të mirë të kohës. Një bibliotekë të tillë e kishte edhe Xhamia e Madhe e Korçës, e cila u vinte në ndihmë edhe vajzave dhe djemve të shkollës.

Edhe studiuesja Armanda Hysa del pothuajse në të njëjtin përfundim: “Në fakt medresetë, xhamitë dhe varrezat e xhamive kanë qenë pjesë integrale e të gjithë pazareve në Ballkan, por të dhëna gojore mbi organizimin e tyre na kanë ardhur vetëm për pazarin e Elbasanit. Prej kësaj mund të mendojmë se përafërsisht kështu ka qenë gjendja edhe në pazare të tjera, të paktën në qytetet shqiptare…”. (Armanda Hysa, “Pazaret e vjetra të qyteteve shqiptare në fund të shek XIX dhe fillim të shek XX”, f. 151).

Ndërsa kur flet për pazarin e Shkodrës nënvizon: “Në Pazar kishte një bibliotekë, një medrese dhe disa pika doganore”. ((Armanda Hysa, “Pazaret e vjetra të qyteteve shqiptare në fund të shek XIX dhe fillim të shek XX”, f. 87). Pra, xhamia, medreseja dhe bibloteka ndërtoheshin në të njëjtën kohë.

Në shkollën e Mirahorit pranoheshin jo vetëm fëmijët e vegjël, por edhe të rriturit, burra dhe gra, çdokush që dëshironte të shkollohej. Në raste të tilla, me qenë se të rriturit një pjesë të kohës së tyre e kalonin në shkollë dhe për pasojë nuk i shërbenin familjes, Mirahori u vinte në ndihmë duke u siguruar fëmijëve të tyre ushqim falas. Për të gjithë nevojtarët, përfshi këtu edhe fëmijët e studentëve, gjenin ndihmë te Imareti, (qendra sociale e Korçës). Vini re çfarë thuhet për fëmijët e prindërve-studentë që vijonin shkollën: “Vakëflënësi i lartpërmendur vë si kusht që në këtë Imaret të gatuhet e të furnizohet çdo ditë dy herë ushqim, në drekë e në darkë. Do të gatuhet çorbë gruri dhe orizi etj dhe do të hajë kushdo që të jetë i pranishëm në kohë të bukës, i vobektë, pasanik, i varfër, i huaj, udhëtar e banues, fëmijët e studentëve etj, kushdo qoftë, çka do që të hanë e kanë hallall dhe u bëftë mirë”. (Pjesë nga dekreti perandorak, kthimi i pronave të Mirahorit në vakëfe).

Provimet e shkollës jepeshin përpara një komisioni që vinte nga vilajeti i Manastirit. Kush i kalonte ato me sukses, nuk kryente shërbimin ushtarak, kurse gjithë të tjerët hynin në radhët e ushtrisë, por jo si ushtarë të thjshtë, pasi ish-nxënësve të medresesë u jepej një detyrë në kompani apo batalion, madje mund të merrnin edhe gradën e oficerit.

Në vitin 1504-1505, edhe shkollën për vajza dhe djem, (si shumë prona të tjera të tij), Mirahori e shndërroi në vakëf, me qëllim që askush të mos paguante gjë për shkollimin e fëmijëve. Të gjitha shpenzimet do të përballoheshin nga Mirahori dhe trashëgimtarët e tij. Në dekretin e sipërpërmendur, përveç shpenzimeve të tjera, flitet edhe për pagesat në derhem të mësuesve dhe të personave të tjerë në shërbim të shkollës:“…Për mësuesin e shkollës …nga 4 derhem në ditë. E për kajjimin e faltores e të shkollës së përmendur më sipër nga 1 derhem për çdo ditë. Për njeriun e quajtur meremetçi cakton 2 derhem për çdo ditë që të meremetojë faltoren, shkollën, hanin dhe lokalin e quajtur Tavëhane…”. (Pjesë nga dekreti perandorak, kthimi i pronave të Mirahorit në vakëfe).

Më pas, në qytetin e Korçës u ndërtuan shkolla të tjera. Pranë Xhamisë së Madhe, përveç shkollës për të cilën folëm deri tani, u ndërtua edhe një shkollë tjetër, (ruzhdije), për vajza dhe djem, ndërsa pranë Xhamisë së Vogël, më 1866 u ndërtua gjimnazi turk, (idadie), dhe më vonë edhe një shkollë fillore për vajzat. Gjithashtu pranë lumit u ngrit shkolla e quajtur Iptidje me një kapacitet prej 120-150 nxënës. Çdo njeri me gjendje normale ekonomike kishte të paktën arsimin e mesëm. Kështu është shprehur edhe Jalldëz Myteveliu, (e cila nuk jeton më), trashëgimtarja e Mirahorëve, ose bashkëshortja e Hysen Myteveliut (administratorit të fundit të Vakëfeve deri në vitin 1934): “Është për t’u theksuar se të gjithë të parët e këtij fisi, së paku e kishin një shkollë të mesme turke, gjë që i lejonte ata të manifestonin një kulturë të lartë, ashtu siç ishin dhe në gjendje”. (Petrit Zeneli, “Myftar Grabocka, dhe rrënjët e një fisi”, f. 251).

Ndërsa për vjehrrin e saj, Rustem Myteveli, Jalldezi rrëfen: “Ai ishte i shkolluar dhe shumë i ditur, pasi lexonte shumë libra dhe dinte jo vetëm historinë e fisit që nga lashtësia, por edhe atë në përgjithësi. Isha nuse e re në atë kohë dhe dëgjoja me shumë kujdes kur më tregonte pafund për bëmat e Iljaz beut në Turqi. Dhe jo vetëm i dëgjoja, por edhe i mësoja e isha në gjendje t’i riprodhoja pa asnjë gabim, ndaj edhe vjehrri më donte dhe me respektonte shumë…”. (Petrit Zeneli, “Myftar Grabocka, dhe rrënjët e një fisi”, f. 249).

Tradita e konsoliduar e shkollave, e bibliotekave dhe e librave të autorëve të huaj nuk kaloi pa u vënë re as nga konsulli francez August Dozon, i cili gjatë vizitës së tij në Korçë më 1874, ndër të tjera i shkruante qeverisë së tij: “Po bëhen përgatitje për të ngritur një tipografi ku do të bëhen botime të autorëve klasikë”, gjë që tregon rrjedhën e shkollimit dhe të përpjekjeve për dije, që nga ndërtimi i shkollës së parë deri te nevoja për të pasur një tipografi për shtypjen e librave.
Të familjarizuar me shkollën që nga viti 1496, për banorët e komunitetit mysliman të qytetit të Korçës, shkollimi i fëmijëve mbetej çështje parësore. Nuk ishin të paktë ata që vijonin studimet në universitetet e Stambollit. Për vitet 1909-1910, mund të përmendim këta emra studentësh nga Korça dhe rrethet e saj. Në shkencat politike studionin: Faik Dishnica, Ibrahim Et’hem Leskoviku, Ismail Vehbi Leskoviku, Shefqet Leskoviku dhe Xhafer Tefik Frashëri (Vila). Në drejtësi: Behxhet Frashëri, Kahreman Frashëri, Muço Qulli nga Leskoviku dhe Sabri Qyteza. Në mjekësi: Nuredin Kolonja, Salih Zeki Korça, Qani Besim Korça dhe Behxhet Korça. Në inxhinieri: Raif Korça, Osman Senai Korça, Fazlli Frashëri, Havzi Korça, Ali Shefqet Korça dhe Mustafa Korça.

Ndërtimi i shkollës së parë i kishte dhënë frytet e veta. Dekreti i kthimit të pronave në vakëfe e cilëson Mirahorin si streha e të vobektëve dhe të pafuqishmëve, themeluesi i veprave mirëbërëse, ndërtuesi i institucioneve të kujdesit shoqëror e njerëzor: “Ky akt përmban objektet që lihen vakëf, përse do të shpenzohen të ardhurat dhe me ç’kushte. E kam redaktuar unë, Muhameti, biri i Mustafait të Haxhi Hasanit.
Prandaj: Nga grupi i tyre që i janë afruar të madhit Perëndi me gjithëfarë ofrimesh e bindjesh dhe që nga pasuria që u pat dhënë i nalti Perëndi, kanë ruajtur kapital të caktuar për atë ditë kur do të dallohen të mirat nga të ligat, është edhe i i madhënueshëm e i ndershëm, burimi i veprave të larta e i virtyteve të bukura, streha e të vobektëve dhe të pafuqishmëve, themeluesi i veprave mirëbërëse, ndërtuesi i institucioneve të kujdesit shoqëror e njerëzor dhe i lëmoshave, i pajisur me zemërgjerësi e mirëbërësi, i gëzuar me hirin dhe bekimin e Zotit që shpërblehen pa ia lyp, i quajturi Iljaz Beu, biri i Abdullahut – këtij ia vazhdoftë Allahu lartësinë dhe ia pruftë mbarë e mirë ditët dhe netët e tij…”. (Pjesë nga dekreti perandorak, kthimi i pronave të Mirahorit në vakëfe)
Pra, kjo ishte shkolla e parë në Shqipëri për djem e vajza, e ndërtuar nga Mirahori 500 vjet më parë, e pajisur me bibliotekë dhe vepra të autorëve më të njohur klasikë, e cila e bëri Korçën qytet të dijes dhe kulturës. Madhështinë e këtij qyteti e shpjegon vetëm shkolla e parë e ndërtuar 500 vjet më parë. /Korce Vepror Hasani

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *