Erdogan: Turqia do të dërgojë 10.000 tonë ndihma të tjera për myslimanët e Arakanit

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, njëherësh kryetar i Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (Partia AK), njoftoi të mërkurën se myslimanëve të Arakanit në Mianmar do t’u dërgohen 10.000 tonë ndihma në një fazë të dytë…

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, njëherësh kryetar i Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (Partia AK), njoftoi të mërkurën se myslimanëve të Arakanit në Mianmar do t’u dërgohen 10.000 tonë ndihma në një fazë të dytë.

Gjatë një fjalimi në Takimin me Kryetarët e Degëve të Partisë AK, mbajtur në selinë e kësaj force politike në Ankara, Erdogan u ndal mbi gjendjen e myslimanëve rohingianë.

Kreu i shtetit turk njoftoi se pas bisedës telefonike të djeshme ndërmjet tij dhe udhëheqëses birmane janë hapur portat e rajonit dhe Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) do të dërgojë 1.000 tonë ndihma në kampet e atjeshme.

Pasi vuri në pah se bashkëshortja e tij, Emine Erdogan, i biri Bilal Erdogan, ministrja e Familjes dhe Politikave Sociale, Fatma Betul Sayan Kaya dhe deputetja e Partisë AK nga zona elektorale e Stambollit, Ravza Kavakçi do të mbërrijnë gjatë kësaj nate në Bangladesh, ku do të vizitojnë kampet dhe do të shpërndajnë pjesën e parë të ndihmave, Presidenti Erdogan nënvizoi se në fazën e dytë do të dërgohen edhe 10.000 tonë ndihma humanitare si ushqime dhe medikamente.

Ai shtoi gjithashtu se problemi i Arakanit është pasojë e ngacmimit të vazhdueshëm të disa çështjeve me të kaluar të vjetër.

Në vijim, presidenti turk u ndal mbi marrëdhëniet Ankara-Bruksel dhe deklaratat e Gjermanisë, vend që së fundmi është shprehur kundër anëtarësimit të Turqisë në Bashkimin Evropian.

“Turqia padyshim që nuk ka hequr dorë nga synimi i saj strategjik për t’u anëtarësuar në BE, i cili është një politikë zyrtare e shtetit. Ne kemi përmbushur dhe përmbushim angazhimet tona që nga dita kur kanë nisur negociatat për anëtarësim. Ne detyrën tonë e kemi kryer”, theksoi ai.

Vonesat e shkaktuara nga BE-ja – vijoi Erdogan – nuk i kemi bërë problem me besimin se do të rrisin standardin demokratik dhe ekonomik të qytetarëve tanë dhe në të njëjtën kohë kemi përparuar drejt rrugës sonë.

“Por, natyrisht, është një situatë e padurueshme që BE-ja, e cila nuk mban premtimet e dhëna ndaj vendit tonë, të kthehet dhe të na akuzojë neve”, saktësoi kreu i shtetit turk.

Sipas tij, për momentin është pikërisht BE-ja ajo që duhet të bëjë hapin e radhës.

“Ose do të mbajnë premtimin e dhënë për të hapur anëtarësimin e plotë dhe të përmbushin përgjegjësitë e tyre në lidhje me parandalimin e emigracionit të parregullt, ose të dalin e të thonë se ‘ne s’dëshirojmë të vazhdojmë rrugën me Turqinë’. Kjo nuk ka rrugëdalje tjetër. Ne gjithashtu nuk do t’u japim mundësi atyre që përpiqen të përdorin Turqinë si material në fushatat e tyre zgjedhore”, vuri në pah lideri turk.

“Nga organet e BE-së dhe vendet evropiane kërkojmë që të jenë realë dhe të sinqertë në politikat e tyre ndaj Turqisë”, tha Erdogan.

Në Evropë – shtoi më tej ai – kanë nisur të qarkullojnë zëra kundër anëtarësimit të vendit tonë apo që pas zgjedhjeve do të aplikojnë për të na penguar.

“Për këtë nuk është përcaktuese Gjermania. Ky është një union, prandaj vendimi merret në mënyrë të përbashkët. Qoftë e hairit, merreni sa më parë këtë vendim. Realisht, nëse nuk mund të toleroni as marrëdhënien aktuale të Turqisë me BE-në, atëherë këtë dilni e shpreheni burrërisht dhe bëni ç’të jetë e nevojshme”, theksoi Presidenti Erdogan.

Në fund të fjalës së tij në Takimin me Kryetarët e Degëve të Partisë AK, kreu i shtetit foli edhe për krizën koreanoveriore.

“Dëshiroj të them se po ndjekim nga afër dhe thellësisht të shqetësuar tensionet, që burojnë nga provat bërthamore të Koresë së Veriut. Urojmë zgjidhjen sa më parë të kësaj krize, e cila është në interes të drejtpërdrejt të miqve tanë si Japonia dhe Koreja e Jugut. Është e qartë se nuk do të ketë fitues të kësaj grindjeje, e cila zhvillohet mbi armët shkatërrimit në masë. Kush janë ata që na rekomandojnë neve të bëjmë kujdes dhe të mos bëjmë armë të shkatërrimit në masë?. Ata, që na thonë neve ‘kujdes’, janë po ata që posedojnë armët më të fuqishme të shkatërrimit në masë. Mirë, këtë e kuptuam, por çfarë do të bëhet me ato që ju zotëroni”, pyeti ai.

“Në një grindje të tillë nuk do të dëmtohen vetëm palët, por i gjithë njerëzimi. I bëj thirrje Koresë së Veriut që të heqë dorë sa më parë nga veprimet, që përshkallëzojnë tensionet”, përfundoi Presidenti Erdogan.

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *