Të sulmosh të drejtat dhe liritë fetare në emër të lirisë së fjalës!

Të sulmosh të drejtat dhe liritë fetare në emër të lirisë së fjalës!

Të sulmosh të drejtat dhe liritë fetare në emër të lirisë së fjalës nuk është aspak e ndershme dhe madje nuk është fare demokratike e njerëzore. Jo rrallë ka ndodhur në vendin tonë që të sulmohen individ dhe komunitete për shkak të bindjeve të tyre fetare, edhe pse këtë gjë e kanë të garantuar me kushtetutë. Disa individ janë duke keqpërdor lirinë e fjalës për interesa të tyre të ulëta. Të tillët, nuk e kanë të qartë që çdo liri, duke përfshi dhe lirinë e fjalës përfundon aty ku cenohet liria e tjetrit.
Aktualisht, është duke u zhvilluar një sulm me përqeshje ndaj femrave muslimane të cilat kanë zgjedhur për stil të veshjes mbulimin e trupit të tyre sipas konditave të fesë islame. Shpeshherë ky sulm bëhet me argumentin se gjoja mbulesa ështe simbol fetar dhe si e tillë nuk ka problem edhe nëse nuk mbahet. Mirëpo, sulmuesit e mbulesës, duhet të thellohen në studim më të thellë për çështje fetare dhe ta kuptojnë njëherë e mirë që, mbulesa bën pjesë në obligimet fetare për femrat, andaj duhet respektuar si e tillë. Ndërsa sa i përket se a duhet mbuluar fytyra apo vetëm koka, me sa di unë obligimi kryhet nëse mbulohet koka dhe krahërori, duke përfshi edhe krahët deri tek duart dhe këmbët deri tek zogu i këmbëve.
Sa i përket mbulimit të plotë të fytyrës mendoj që, në vendin tonë do të mjaftonte për ato femra që kanë zgjedhur mbulesën islame për stil të veshjes të kryhet obligimi edhe pa e mbuluar fytyrën tërësisht, por kjo çështje të diskutohet në debate televizive nga kompetent (imam) e jo me përqeshje e ofendime.
Këshilla ime për keqpërdoruesit e fjalës së lirë është kjo: me ofendime, fyrje, sharje dhe përqeshje do t’i kontribuoni ngritjes së radikalizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm që shpije në terrorizëm. Prandaj, ju duhet shfrytëzuar fjalën e lirë maksimalisht, ama jo me tendenca e qëllime të këqija, por për të mirë të shoqërisë, sepse në fund të fundit qëllimi i fjalës së lirë është pikërisht për të mirën e shoqërisë e jo për të mirën e profitërëve e matrapazve.

 

Autor: Shkelzen Marevci

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *