Shmangia nga studimi real ndaj islamit!

Një lexuesi të rëndomtë që i ka vënë synim vetvetës që të kuptojë mirëfilli një tematikë të caktuar, para së gjithash i duhet një ambient i qetë, ku pa presionin e askujt do të arrinte ta shuante kurreshtjen e tij për enigmën që nuk e njihte. Por ajo heshtje nuk do t’i bënte dobi e as nuk do t’i kryente punë nëse referencat ku kurreshtari referohet do të ishin jo kredibile ose të servuara nga ata që kanë mision dezinformimin e vazhdueshëm të shoqërisë. Lexuesi shumë lehtë mund të bie pre e referencave të padenja, e të notojë dallgëve të atyre librave e autorëve që kanë trazuar ujin e të vërtetave për vite me radhë. Librat për mendjen, janë sikurse ushqimi për trupin, prej tyre ka të shëndetshme e prej tyre ka edhe helmuese dëmet e të cilave janë të paparashikueshme.
Sot, së paku brezi ynë, nuk vuan nga mungesa e librit të cilës do fushë, për më tepër, ai në fakt vuan nga mungesa e lexuesit të mirëfilltë. Edhe ata pak lexues, të cilët duhet t’i ruajmë si sytë e ballit dhe eventualisht t’i rrisim në numër, shpeshherë kanë mungesë të guximit që t’iu çasen tematikave, që deshtëm s’deshtëm, sot ngjallin debatet më të fuqishme në shoqërinë tonë. E kemi fjalën për (mos)guximin dhe hezitimin irracional që lexuesit e sotshëm e të pavarur (joreligjioz) e kanë për t’a rrokë në dorë ndonjë libër kredibil që flet për të vërtetat e islamit. Po e kuptojmë këtë nga opinionet e shumta të opinionistëve, ose analistëve, dhe vërejmë që disa prej tyre ose e kanë referencë vetveten e tyre, e që flet për varfëri të madhe intelektuale për ta, ose marrin për bazë dikë që ndaj fesë ka urrejtje patetike. Në të dy rastet krijimi i qëndrimeve realiste në raport me këtë fe mbetet vetëm aspiratë.
Së paku intelektualët që mbajnë titujt më të lartë akademikë, s’do të duhej të kenë frikën e as ta humbasin durimin për të lexuar me qetësi rreth të vërtetave të kësaj feje që shumica absolute e banorëve të këtij nënqielli i takojnë. Frika prej librit, çfarë do qoftë orientimi dhe baza e tij, nuk është në asnjë rast tipar i intelektualëve të stadeve të larta. “Intelektuali që dëshiron të ruajë vlerat e kulturës, dinjitetit dhe intelektualizmit të tij i kërkohët që t’i ripërtërijë e ripërpunojë idetë dhe informacionet e tij në mënyrë të vazhdueshme”, thoshte një hulumtues i huaj. E ripërtrirja e informatave nuk mund të bëhet nëse nuk shfletohen libra bashkohorë që janë shkruar nga dijetarët elitarë të kësaj feje.
Sot, s’ka logjikë që islami të mos studiohet e të mos rianalizohet objektivisht, me arsyetimin se nuk ua ngjallë kurreshtjen e s’i bëka lexuesit kuriozë për të. Debatet e vazhdueshme rreth tij, stereotipet e shtuara që të tjerët i kanë krijuar në raport me të, janë arsye e mjaftueshme që të ndahet kohë edhe për të. Injorimi I kësaj tematike në tërësi më shumë I ngjan një naiviteti dhe frike absurde që përshkruhen me të një pjesë e ideologëve tanë karshi islamit. Nëse dikush është irrituar nga gjestet e ulëta të një grupi të besimtarëve të islamit, apo është bezdisur nga debatet shterpë e banale të disa prej tyre, atëherë së paku le të lexohet literatura e islamit që t’ua hedhin për fytyre mësimet sublime të gjithë atyre që vetëm hiqen me fjalë e mburrje se janë pasues të kësa feje, por në praktikë e dëshmojnë të kundërtën.
Libri ynë i Shenjtë në një citat që sfidon të paudhët, na jep sinjal që janë dy rrugë të sakta nepërmes të cilave ka mundësi njeriu të arrijë deri tek njohja e të vërtetës, duke u thënë:” …Më sillni ndonjë Libër të shpallur para këtij (Kur’anit) apo vetëm ndonjë gjurmë nga dijenia (fakt shkencor), nëse jeni të vërtetë (në pretendimet tuaja)” (El Ahkaf, 4). Në këtë dhe citate të ngjashme, Kur’ani hapë derën me komoditet që të përballet me gjithë ata njerëz që dëshirojnë të diskutojnë rreth tij apo fesë së Zotit. Ai nga diskutuesit vetëm kërkon që të sjellin argumente e fakte nga ndonjë citat i ndonjë libri të mëhershëm që është shpallur, e që nuk është devijuar, ose ndonjë fakt tjetër të vërtetuar shkencërisht. Thënë ndryshe, i bie që islami, por edhe myslimanët e mirëfilltë nuk kanë pasur e as nuk kanë asnjëherë frikë prej atyre që i fillojnë debatet pasi që të jenë armatosur me lexim e fakte rreth temave të ndryshme, por islami shprehë keqardhje për ata që s’patën guximin kurrë për të lexuar sa do pak rreth tij.
Njeriu është armik i asaj që nuk e njeh, dhe ka vetëm një rrugë që të shuhet kjo “armiqësi” e cila buron nga injoranca, e ajo rrugë është guximi për të lexuar. Së paku, nëse jo për tjetër, le të provohet të lexohet literatura e islamit me synim të kritikës ndaj saj. E pastaj s’po prognozojmë për epilogun e mundshëm të këtij leximi, le të jetë ai do si do.
Libri dhe lexuesi fetar sot, pa dilemë që mbetet i margjinalizuar e paksa i ndrydhur nga shtresat e gjera intelektuale dhe grupet tjera shoqërore që ruajnë me fanatizëm mendimin se feja dhe shkenca kanë ndarë rrugët qëmoti. Ata mendojnë se bashkëjetesa nën një ombrellë në mes të fesë dhe të shkencës ka qenë e brishtë në të kaluarën dhe si e tillë asnjëherë nuk mund të jetë jetëgjatë as në të ardhmen.
Si do që të jetë, citati i mëhershëm, e para tij edhe urdhëri i parë hyjnor” lexo, studio, mëso”,dhe qindra të tjerë të ngjashëm me ta, ftojnë këto kategori njerëzish që të rishikojnë sërish qëndrimet e betonuara që ata i kanë krijuar karshi islamit. Kështu duket se islami dallon qartazi nga religjionet dhe fetë e tjera për nga mundësia e tij që të bashkëjetojë me shkencën e mirëfilltë.
Laikët dhe antiteistët po dëshmojnë dita ditës se e gjejnë vetën rehat, e ndihen të qetë vetëm në “oazën” e librave e të literaturës që vjellin vnerë dhe rrokun në thumb themelet e çdo feje, me theks të veçantë islamit.
Madje siç do t’i përshkruante ata, Puol Johnson në bestsellerin e tij”Intelektualët”:Një ndër karakteristikat më tipike të intelektualëve të rinjë laikë, ishte kënaqësia me të cilën i kundërviheshin fesë dhe shërbëtorëve të saj nepërmjet një kritike radikale”. Nuk jemi për t’i privuar këta laikë nga kjo “kënaqësi” dhe oreks i skajshëm për t’iu kundërvë islamit, por jemi që pos kësaj, fillimisht ata të shijojnë edhe kënaqësinë e guximit për ta njohur e lexuar islamin prej referencave kredibile të tij, gjë që po dëshmohet se një pjesë e madhe e tyre nuk e kanë provuar asnjëherë në jetën e tyre.

 

Autor: Mr. Driton Arifi

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *