Urimi i Albin Kurtit për Bajram

Sot është dita e fundit e një muaji të shenjtë për besimtarët myslimanë, siç është Ramazani. Ky muaj karakterizohet nga sakrifica e përditshme që bëhet për të përmirësuar vetveten e për t’iu afruar idealit që dëshirojnë vetë besimtarët. Por, edhe përtej komunitetit të besimtarëve, mesazhi e shembulli i sakrificës së përditshme është i vlefshëm. E si do të mund ta ndërtojmë vendin e atdheun tonë, si do të mund ta përparojmë kombin e shoqërinë tonë pa sakrifica të përditshme? Këto sakrifica janë të vogla po t’i shohim sakrificat e mëdha që kanë bërë njerëzit e shquar të kombit tonë, pa dallim feje a besimi. Ne i përkujtojmë ata me respekt, e meqë nesër do të jetë festa e madhe e besimtarëve myslimanë, Bajrami, unë sot dëshiroj të kujtoj me nderim kontributin dhe sakrificën e disa veprimtarëve atdhetarë myslimanë të shquar nga Kosova. Sigurisht, për arsye vendi e kohe nuk do të mund t’i përmend të gjithë.
Mund t’ia nisim duke përmendur rilindasin e shquar, një nga figurat themelore të shqiptarizmës, Ymer Efendi Prizrenin, intelektualin atdhetar, veprimtarin e Komitetit të Stambollit bashkë me vëllezërit Frashëri, organizuesin e kuvendit e kryesuesin e qeverisë autonome të Lidhjes së Prizrenit. Po ashtu mund të përmendim Hoxhë Kadri Prishtinën, veprimtar i çështjes kombëtare, kryesues i Komitetit për Mbrojtjen e Kosovës, deputet në Kuvendin e Shqipërisë në vitet ´20, promovues i kulturës dhe gjuhës shqipe, botues e dijetar, bashkëpunëtor i Fan Nolit dhe i Hasan Prishtinës, i cili qysh atëherë kërkonte që arsimi fillor e ai gjysmë i mesëm të ishte falas dhe për të gjithë fëmijët. Ose, mund të përmendim edhe Mulla Hasan Masuricën nga Kamenica e Hafiz Ymer Shemsiun nga Prishtina, që përveçse dijetarë të fushave të ndryshme, luftuan me armë në dorë kundër pushtuesve bullgarë e kundër atyre serbë gjatë Luftës së Parë Botërore. Ose, imami Arif Shala nga Drenica, i cili në vitet 1930 u shqua për aktivitetin e tij kombëtar, duke i thirrur njerëzit në edukimin shqip, duke e kundërshtuar shpërnguljen e popullit shqiptar të Kosovës në Turqi, e duke dalë hapur kundër politikave kolonizatore të Serbisë, por po ashtu edhe kundër pushtuesve nazi-fashistë. Imami Arif Shala pas Luftës së Dytë Botërore doli komit, në përpjekje për ta çliruar Kosovën e për ta bashkuar atë me Shqipërinë, dhe aty ra dëshmor. E nuk mund të lëmë pa përmendur figurën e shquar, Mulla Idriz Gjilanin, edukuesin e arsimuesin e dhjetëra mijëra shqiptarëve, me frymën kombëtare, me idealin e bashkimit, dhe me dashurinë për shqipen. Bamirës i madh, hapës i shkollave, ndërtues i veprave publike dhe themelues i organizatave patriotike, edhe Idriz Gjilani i përket atij grupi atdhetarësh myslimanë që për çështjen kombëtare kanë kapur armën e kanë luftuar. Ai ra dëshmor në përballje me represionin e armatosur serb e jugosllav në Kosovë pas Luftës së Dytë Botërore.
Përveç këtyre pionierëve të atdhedashurisë, kanë qenë dhjetra hoxhallarë e imamë, me mijëra besimtarë myslimanë, që kanë vepruar bashkë me shqiptarë të besimeve të tjera apo edhe me ateistë, për ta mbajtur gjallë frymën e organizimin kombëtar gjatë viteve të regjimit jugosllav, e shumë prej tyre kanë përfunduar të ekzekutuar apo kanë mbajtur vite të gjata në burgjet jugosllave. Ia vlen po ashtu të kujtojmë se gjatë viteve të ’90-ta Medreseja e Prishtinës ishte bërë vendi i tubimeve politike të rezistencës shqiptare kundër Serbisë dhe se 37 hoxhallarë kanë rënë dëshmorë në luftën për çlirimin e Kosovës duke luftuar në radhët e UÇK-së.
I kujtojmë ata gjithmonë me nderim, të bindur se shqiptarët myslimanë edhe në të tashmen, edhe në të ardhmen, do të vazhdojnë të bashkëpunojnë e të bashkëveprojnë me bashkatdhetarët e tyre të cilitdo besimi qofshin, që të kontribuojnë edhe më ashumë për kombin, për dijen, për shkencën, për artin, për ekonominë e për shoqërinë, si dhe për përparimin e kombit tonë drejt barabarësisë me kombet e tjera.

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *