Falja e namazit të natës

Hadithet që flasin për namazin e natës që transmetohen nga shokët e Pejgamberit a.s. thuajse të gjitha tregojnë se Pejgamberi a.s. nuk e ka falur namazin e natës në xhami, ndonëse shtëpia e tij ishte mu aty, por e ka falur në shtëpinë e tij. Të pakta janë ato hadithe që flasin për namazin e natës me imam, si transmetimi i Ibën Abasit, Hudhejfes dhe Ibën Mesudit, e që të gjitha këto transmetime me imam tregojnë se ai namaz është kryer në shtëpinë e Pejgamberit a.s.. Pra, përsëri nuk është falur në xhami dhe as që është organizuar kohë e veçantë për grumbullimin e njerëzve për të falur atë namaz!
E, ajo që jep indikacion të qartë se ky namaz falet në shtëpi, janë transmetimet e Ebu Hurejres dhe Ebu Seidit, ku në mënyrë specifike tregohet për zgjimin e anëtarëve të familjes dhe faljen e namazit të natës, madje hadithet ndonëse përmendin faljen e namazit nga tërë familja, nuk janë dëshmi e qartë se falja është kryer me imam!
Shkolla juridike hanefite faljen e organizuar të namazit të natës në formën aktuale, ku mbledhen njerëzit dhe caktojnë faljen e këtij namazi për disa netë rresht, e sheh si veprim të papëlqyer, ngase tekstet fetare nuk urdhërojnë në një gjë të tillë. Nuk mund të gjesh as një tekst të vetëm nga praktika profetike që inkurajon namazin e natës (jo të teravive) të falet me imam, në formën që praktikohet tani! Përndryshe, namazi i natës ka bazë dhe vlera e tij konsiderohet më tepër në shtëpi, si në Ramazan ashtu edhe jashtë tij. Edhe nëse falet në xhami nuk ka të keqe (edhe nëse falet me imam), por qëllimi i namazit të natës është vetmia e robit me Krijuesin e tij, jo ekspozimi dhe falja e namazit të natës duke braktisur namazin e sabahut. Gjeneratat e hershme kështu e kanë kuptuar namazin e natës, gjeneratë pas gjenerate, derisa erdhi koha kur njerëzit iu dhanë më tepër rëndësi atyre që janë më pak të rëndësishme, thjesht u dhanë pas formaliteteve dhe ekspozimeve. Imami Ebu Hanife, ka falur namazin e natës thuajse gjithnjë në shtëpi. Madje, raportohet se këtë e ka bërë për vite të shumta. Rrallëherë transmetohet të ketë falur këtë namaz në xhami, por edhe në raste të tilla e ka falur i vetëm, jo si imam me xhemat!
Përfundimisht themi se një praktikë e tillë është një risi e cila është aktualizuar dekadave të fundit, gjë që gjeneratat e hershme nuk e kanë praktikuar në formën dhe modalitetin se si bëhet tani. Ndonëse, si adhurim është i lejuar të falet me imam, por më i preferuar të falet në shtëpi dhe të veçohet robi ndaj Krijuesit të tij!

 

Ejup Haziri

Ekspert i Fikhut Hanefi

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *