Absteno!

Të stërlodhur e të ngrysur në jetë nga shprehitë dhe zakonet që kanë rënduar për një kohë të gjatë jetën e tyre, shumë njerëz i vërejmë që hulumtojnë për çastin dhe momentin e duhur që të nisin rrugëtim të ri në jetë. Synojnë që të rilindin edhe një herë, pa e shijuar vdekjen fare.
Sa prej tyre largohen nga këtej, ku ti po jeton, në këtë botë plotë rrëmujë e trazira, pa shijuar qoftë edhe një herë në jetën e tyre, kënaqësinë e kthesës dhe orientimit kah e mbara. Ikën, e s’lanë as edhe një gjurmë të vetme në shtigjet e ndriquara me dritën hjynore. U përcollën për në gjirin e nënës tokë, ani pse mbi faqen e saj s’lanë kurrfarë arome joshëse për të tjerët.
Jetuan në robëri, por nuk e kuptuan, e as që shijuan ndonjëherë ëmbëlsinë e çlirimit shpirtëror prej epsheve, pasioneve, e tekeve të tyre të pangopura. S’arritën ta kuptojnë që “Nuk e mbush barkun(dëshirat) e të birit të Ademit, asgjë tjetër pos dheut”, thoshte i Dërguari Muhamed s.a.v.s.
Hapi më serioz në rrugëtimin tënd për ndryshim fillon me abstenim. Abstenimi tingëllon të jetë ndalja më e fuqishme dhe stopimi më strikt i të vepruarit të gjithë atyre gjesteve, sjelljeve e veseve që ke qenë duke i vepruar deri më sot, e ndoshta ke krijuar varshmëri në to. S’është e lehtë, ato tashmë janë pjesë e ytja. Ti, tashmë identifikohesh me to. Ato thjesht, janë shprehi dhe tradita tuaja, dhe emri yt është gati i pandashëm prej tyre.
Ani pse”shprehia më e mirë është që të mos kesh shprehi fare”, do të thoshte Zh.Zh. Rusoi. Për ato të këqiat e kishte fjalën sigurisht, se për të mirat, ngjizja dhe përjetësimi i tyre mbetet gjithnjë vepër e lavdishme.
Por, njerëzit nuk vuajnë nga varshmëria në tradita e shprehi të mira, për të kundërtat gjithsesi që po.
Nëse ke provuar deri sot që të çkapesh nga ato vese të liga e shprehi të mbrapshta që të janë ngjitur për trupi e shpirti, e s’arrite dot deri tani, prapë ke një ofertë. Ajo është e hapur për sa kohë që ti ecë mbi tokë, e s’fle në gjirin e saj si i vdekur. Andaj, kujto se ti je i privilegjuar, ngase ende s’të përfundoi shansi, ndoshta për ty i fundit.
Si një erë e lehtë që sihariqon të përvuajturit nga thatësia e tejzgjatur nga mungesa e shiut, në derën tënde troket muaji i ofertës më serioze. Muaji që të ofron shansin e artë që të thyesh kthetrat e manisë e varshmërisë ndaj krejt atyre gjërave që të rënduan jetën tënde.
Është ky muaji që të thërret për abstenim. Ramazani. Muaji që shpirtin tënd të së mirës e bënë të durueshëm e pastaj edhe mbizotërues ndaj të gjitha llojeve të cytjeve të egra që të kanë molisur në jetë.
Ai është që fton për frenim të egos, e mbi të gjitha për ndërrim të kahjes e orientimit të jetës sate. Ai që nepërmes tharjes së buzëve tuaja, shterrë analet e pasioneve të pakontrolluara tuaja.
Ai të thërret që të abstenosh tërë ditën nga ato që aq shumë të nevojiten, edhe atë gjatë një muaji të tërë, nga ushqimi e uji freskues, në mënyrë që ta kuptosh pastaj se shmangia nga ato që s’të nevojiten, mbetet detyrë e ytja edhe më e lehtë.
Nëse ke fituar betejën dhe ke mposhtur kërkesën e stomakut, kuptoje se tashmë je më i fuqishëm se kurrë, ke mundësi që të mposhtësh edhe kërkesën e pasionit, tekeve e shprehive tuaja të kahershme. Ky është ai devocioni i aspiruar, e ndoshta asnjëherë i realizuar.
Ti, tashmë duhet t’i thuash egos se ke një Zot, se ndaj Tij nënshtrohesh, e në urdhërat e Tij je i gatshëm të krijosh shprehi. Ky është lajmi më ogurzi që mund ta marrë prej teje pasioni yt i shthurur.
Andaj, në këtë muaj, absteno nga krekosja yte në raport më Atë që s’të harron edhe atëherë kur ti mendon se ke arritur pushtet, famë e autoritet mbisundues ndaj njerëzve. Përgjigjjiu kërkesës së Tij që të mos hash e të mos pish, nga mëngjesi në mbrëmje, ngase ti më së shumti ke nevojë për këtë skalitje e çlirim shpirtëror të tillë.
Freno vetën tënde fuqishëm në tatëposhtën e mëkateve në të cilën tërhiqesh rrëmbyeshëm po sikur me litar, nga armiku yt i njohur-djalli. Ky muaj ty të ofron edhe këtë mundësi.
Ndalo vetën nga përkrahja qoftë edhe me heshtje, a buzëqeshje ndaj të gjithë atyre të padrejtëve e ligëve që me heshtjen tënde prej një modesti, kuptuan miratimin për veprat e tyre të liga. Të tillëve edhe heshtja yte u foli mjaft.
Ndërro kahjen nga vija e gabuar që ti ndoqe me fanatizëm deri më sot, ani pse ishe i bindur se fundi i saj ishte thjesht një dëshpërim.
Mposhte lakminë dhe pangopësinë tënde, që shpesh të bëri të flesh e të gëdhish me bëlbëzimet e numrave e shifrave të gjirollogarive tuaja që s’të lanë të prehesh e të jetosh rehat asnjëherë.
Gjejë forcë që t’iu buzëqeshësh mu në këtë Muaj, të gjithë atyre që tek ti kishin parë vetëm valët e rrudhave në ballin tënd të vërenjtur, dhe nga ti prisnin vetëm lëndime, ofendime e fjalosje poshtruese.
Thuaj mjaft më koprracisë sate, e lëshoje grushtin tënd të fisnikërisë ndaj atyre që do t’i bësh të lumtur edhe me një kafshatë buke të thatë më të cilën ua mbanë shpresat gjallë se ende paska mbetur diku njerëzi.
Absteno nga kryelartësia e arrogonca yte në raport me Krijuesin tënd, e mësoja ballit tënd rrugën e shkurtër deri tek ajo adresë fisnike e tij që ai kurr deri më tani nuk e ka ditur, deri tek sexhdeja.
Trego gadishmëri që të vësh hapin e të lësh gjurmë në rrugën e lavdishme të të dërguarëve të Zotit, se ndoshta ky është hapi i parë për ty në këtë rrugë, por krejt i fundit dhe lamtumirësi në këtë jetë.
Absteno, por jo thjesht për të abstenuar, por, mbi të gjitha për të filluar një jetë të re brenda shtigjeve të kësaj rruge për të cilën ke të drejtë të flasësh vetëm pasi të shijosh vetë aromën dhe ëmbëlsinë e saj të parezistueshme.
Radhën e ke ti, jo tjetri, që të rinisësh një jetë në oazën e lumturisë së përjetshme. Mos humb radhën, sepse ti nuk e di se a do të vie edhe një herë apo jo para teje një shans i tillë.
Ramazani po të troket në derën tënde që ti të abstenosh nga gjithçka e ligë e mbrapsht, dhe të rifillosh jetën e mbarë e fisnike, në rrugën e dëlirtë të Krijuesit tënd.
Bëje atë!!!!

Autor: Mr. Driton Arifi

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *