Rusi, hapet xhamia qendrore në Kostroma

Në fjalën e tij në ceremoni, Görmez tha se Xhamia Qendrore në Kostroma ka rëndësi shumë të veçantë për muslimanët e Rusisë, popullin tatar musliman dhe për tërë njerëzimin.

Sot në qytetin Kostroma të Rusisë u bë hapja e Xhamisë Qendrore me faljen e namazit të Xhumasë të cilit i priu kreu Drejtorisë së Çështjeve Fetare të Turqisë, Mehmet Görmez, raporton Anadolu Agency (AA).

Në ceremoninë e organizuar me rastin e hapjes së Xhamisë Qendrore të Kostromas, ndërtimi i së cilës filloi në vitin 2003 me kontributin e Drejtorisë së Çështjeve Fetare, Fondacionit Turk të Çështjeve Fetare dhe Myftinisë së qytetit të Tarsusit në Turqi, morën pjesë Görmez dhe delegacioni shoqërues, si dhe kreu i Administratës Fetare të Muslimanëve të Rusisë dhe Këshillit të Myftive, Ravil Gajnutdin.

Në fjalën e tij në ceremoni, Görmez tha se Xhamia Qendrore në Kostroma ka rëndësi shumë të veçantë për muslimanët e Rusisë, popullin tatar musliman dhe për tërë njerëzimin.

“Tanimë madhësia e shteteve nuk do të mund të matet vetëm përmes ekonomisë, por ajo do të matet me mundësitë që shtetet ia ofrojnë lirisë fetare. Njohja e lirisë për besimet dhe për ndërtimin e faltoreve tregon për madhësinë e shteteve, kurse pengimin i ushtrimit të besimeve tregon se shtetet janë të vogla”, theksoi Görmez.

Görmez u shpreh se xhamia në Kostroma i dedikohet muslimanëve tatarë që kanë rënë dëshmorë gjatë Luftës së Dytë Botërore teksa mbronin atdheun e tyre.

“Islamofobia nuk duhet të hyjë në këto troje”

Görmez me theks të veçantë tha se muslimanët që jetojnë në Rusi prej një mijë vitesh jetojnë në paqe dhe vëllazëri me pjesëtarët e besimeve të tjera.

Siç tha Görmez, sëmundja e islamofobisë që ka përfshirë Perëndimin dhe Evropën nuk duhet të hyjë në këto troje.

“Ju keni përvojë të madhe mijëvjeçare. Vazhdoni të zhvilloni atë përvojë të cilën e krijuat së bashku në trojet e Rusisë posaçërisht pas Katerinës. Bota dhe njerëzimi po kalojnë në një kohë shumë të keqe. Mënjanoni të gjitha ndarjet. Edhe Lindja, edhe Perëndimi janë të Zotit”, është shprehur kreu i Çështjeve Fetare të Turqisë, Mehmet Görmez.

Në qytetin Kostroma të Rusisë jetojnë 25 mijë muslimanë.

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *