Myftiu Tërnava takohet me studentët tanë, që studiojnë në Universitetin Al Qasimiaya në Sharika

Myftiu i Republikës së Kosovës, Naim ef. Tërnava po qëndron në Emiratet e Bashkuara Arabe, ku po zhvillon takime me personalitetet e këtij shteti.

Në vazhdën e këtyre takimeve, ai zhvilloi edhe një takim me studentët tanë, që studiojnë në Universitetin Al Qasimiaya në Sharika. Ai i porositi ata me këshillat që t’i përkushtohen nxënies së diturisë, duke kujtuar vlerën e saj në fenë islame. Ai përmendi hadithin e Pejgamberit a.s., i cili ka thënë: “Kush merr rrugën për të kërkuar dituri, Allahu ia lehtëson rrugën për në xhenet, dhe me të vërtetë edhe melaqet i shtrijnë flatrat e tyre për kërkuesin e diturisë, nga kënaqësia se çfarë bën ai, dhe se për dijetarin kërkojnë falje çfarë ka në qiell dhe në tokë, madje edhe peshqit në ujë.” Vlera e dijetarit dhe adhuruesit është sikur drita e hënës në krahasim me yjet tjera, si dhe dijetarët janë trashëgues të pejgamberëve, të cilët nuk kanë lënë trashëgimi as dinarë e as dërhem, mirëpo kanë trashëguar diturinë, e ai i cili e merr atë, le ta marrë në përmasa të mëdha.
Studentët e falënderuan Myftiun Tërnava për vizitën dhe këshillat që ua drejtoi atyre.

Myftiu Tërnava u takua gjithashtu edhe me Rektorin e Universitetit Al Qasimiaya, dr. Rashad Muhamed Salem. Ai e falënderoi rektorin Salem për ndihmën dhe përkrahjen e vazhdueshme që po jep rreth studentëve tanë atje. Të dy palët ranë dakord për bashkëpunim reciprok, si dhe nënshkrimin e një marrëveshje bashkëpunimi në sfera të ndryshme.
Po ashtu të dy palët njoftuan njëra-tjetrën për veprimtarinë e tyre, historikun etj. Myftiu Tërnava një falënderim të veçantë i bëri EBA-së për përkrahjen e vazhdueshme ndaj Republikës së Kosovës, si dhe autoriteteve të universitetit, e po ashtu shprehu gatishmërinë për intensifikimin e bashkëpunimit bilateral.
Në këtë universitet studiojnë 49 studentë shqiptarë, prej tyre 28 meshkuj dhe 21 femra.

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *