Somali, 6.2 milionë njerëz të kërcënuar nga mungesa e ushqimit

Thatësirat në vend të cilat zgjasin që prej vitit 2011, kanë bërë që 6.2 milionë banorë të kenë nevojë serioze për ndihmë ushqimore, ndërsa 2.9 milionë njerëz kanë nevojë për ndihmë urgjente.

Si pasojë e thatësirave të mëdha në Somali, të paktën 6.2 milionë njerëz në këtë vend kanë nevojë për ndihma ushqimore dhe 2.9 milionë për ndihmë urgjente, raporton Anadolu Agency (AA).

Somalia gjendet në jug të rajonit që njihet si briri i Afrikës. Ndërsa bashkë me destabilitetin politik në këtë vend, që prej 2011-ës Somalia po përballet me thatësirat më të mëdha të 60 viteve të fundit.

Thatësirat në vend të cilat zgjasin që prej vitit 2011, kanë bërë që 6.2 milionë nga 12 që ka gjithsej vendi të kenë nevojë serioze për ndihmë ushqimore, ndërsa 2.9 milionë njerëz kanë nevojë për ndihmë urgjente.

Thatësirat kanë bërë që më shumë se një milion njerëz të lënë shtëpitë e tyre, gjë kjo që është bërë shkas për emigrimin më të madh brenda vendit.

Në Somali 70 për qind e popullsisë jeton në varfëri, ndërkohë Fondi për Fëmijët pranë Organizatës së Kombeve të Bashkuara (UNICEF), ka thënë se më shumë se gjysma e popullsisë nuk ka qasje ndaj ujit të pijshëm.

Mungesa e ujit është një nga shkaqet kryesore të përhapjes së sëmundjeve vdekjeprurëse si kolera dhe malaria, teksa thuhet gjithashtu se më shumë se 600 mijë njerëz janë ndikuar nga këto dy sëmundje.

Rastet e vdekjeve të fëmijëve në rritje

Sipas një hulumtimi të UNICEF-it, për vitin 2015, një në shtatë fëmijë që lindin në Somali humb jetën deri në 5 vjeç, për shkak të sëmundjeve epidemike, si pasojë e mungesës së ujit dhe ushqimit të shëndetshëm. Ndërsa 92 për qind e të gjithë fëmijëve kanë mungesë të theksuar të të ushqyerit të mirë.

Në vend 2 milionë fëmijë janë të privuar nga arsimi, i cili është i cunguar në vend.

Somalia është një vend që monitorohet nga afër nga faktori ndërkombëtar. Ndërsa edhe OKB prej vitit 2011 po ndihmon në luftën kundër krizës së thatësirës.

Sipas raporteve të OKB-së gjatë viteve kur nisi kriza në këtë vend, 2010-2012, të paktën 260 mijë njerëz humbën jetën si pasojë e thatësirave dhe mungesës së ujit dhe ushqimit. Në muajin korrik 2011 u shpall gjendja e “urisë” në vend, ndërsa ende nuk ka shifra të vërteta për numrin e personave që kanë humbur jetën si pasojë e sëmundjeve epidemike. Theksohet se vdekjet e kësaj natyre në rajon janë gjithmonë e në rritje, bujqësia ka ardhur në pikën e vdekjes, ndërsa kafshët ndodhen përballë rrezikut të zhdukjes.

Një tjetër faktor për përkeqësimin e kushteve të mësipërme është edhe prania e aktiviteteve dhe sulmeve terroriste. Organizata terroriste Esh-Shebab pengon dërgimin dhe shpërndarjen e ndihmave humanitare për nevojtarët dhe kjo gjë përkeqëson edhe më shumë situatën.

OKB thirrje faktorit ndërkombëtar

Në raportin e fundit të OKB-së, ku vihet në dukje se 6.2 milionë persona janë përballë krizës së urisë në Somali, i bëhet thirrje faktorit ndërkombëtar që të ndërhyjë urgjentisht për zgjidhjen e këtij problemi.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, në muajin mars zhvilloi një vizitë urgjente në Somali. “Në Somali njerëzit po humbin jetën. Bota është e detyruar të kalojë menjëherë në veprim”, tha ai dhe i ribëri thirrje faktorit ndërkombëtar për ndihmë sa më urgjente në këtë vend.

Ndërsa duke thënë se duhet bërë sa më shumë publike gjendja në Somali, Guterres, në vijim ka shtuar: “Bashkimi i përleshjeve, thatësirave, ndryshmeve klimatike, sëmundjeve dhe kolerës, është një fatkeqësi e vërtetë.”

Në vend është shpallur gjendja e fatkeqësisë kombëtare

Kryeministri i Somalisë, Hasan Ali Hajri, në të njëjtin muaj, përmes një takimi me Komitetin Kombëtar të Thatësirave, ka vënë në dukje se shumë njerëz kanë humbur jetën si pasojë e thatësirave në vend. Ndërsa Presidenti i vendit, Muhammed Abdullah Fermacu, ka thënë se për të luftuar kundër krizës humanitare të shkaktuar nga thatësirat, në vend është shpallur “gjendja e fatkeqësisë kombëtare”.

OKB thotë se rreth gjysma e popullsisë në vend ka nevojë për ndihma ushqimore, ndërsa thekson se 2.9 milionë njerëz kanë nevojë imediate për ndihma.

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *