NATO për “Shqipërinë e Madhe” të Ramës dhe Thaçit: Problemet zgjidhni vetë!

Dy ditë pas deklaratave të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama dhe presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, të cilat serbët e quajtën të rrezikshme, se mund të ketë destabilizim të mundshëm të situatës në Ballkanin Perëndimor në mungesë të perspektivës së BE-së, NATO ka thënë se është e shqetësuar në lidhje me përkeqësimin e situatës.

“Ne inkurajojmë liderët e Ballkanit Perëndimor që të përmbahen ndaj detyrimeve të tyre dhe të vazhdojnë pajtimin përmes dialogut. NATO dhe pjesa tjetër e komunitetit ndërkombëtar kanë rol të ndihmojnë, por zgjidhja përfundimtare e problemeve të rajonit duhet të gjenden në rajon”, thuhet në përgjigjet e NATO-s për agjencinë serbe të lajmeve Tanjug.

Sipas NATO-s e ardhmja e Ballkanit Perëndimor shihet në kuadër të bashkëpunimit euro-atlantik, transmeton lajmi.net.

“E ardhmja e NATO-s në Ballkanit Perëndimor është parë të jetë në drejtim të bashkëpunimit euro-atlantik dhe integrimit, ndërsa udhëheqësve të vendeve në rajon u takon të vazhdojnë që  nëpërmjet dialogut të arrin pajtim”, thuhet në reagim.

Ndërsa për situatën aktuale në rajon dhe për deklaratën e kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama, i cili nuk e përjashtoi mundësin e bashkimit të Kosovës dhe Shqipërisë, NATO nënvizoi shqetësimin e tyre në lidhje me “situatën e përkeqësuar kohën e fundit”.

Nga Aleanca thonë se Ballkani Perëndimor është me interes strategjik për BE-në dhe NATO-n.

Stabiliteti dhe siguria e rajonit kontribuon në stabilitetin dhe sigurinë e Evropës. NATO do të jetë i pranishëm, i vëmendshëm dhe i angazhuar në Ballkanin Perëndimor, duke përfshirë edhe vazhdimin e misionit të KFOR-it.

“KFOR-i do të vazhdojë të luajë rol për mbështetjen e të gjithë qytetarëve në Kosovë, në pajtim me mandatin e OKB-së”, tha një zyrtarë i NATO-s për medien në fjalë.

Ai mes tjerash theksoi, se Aleanca e Atlantikut Verior kërkon nga vendet euroatlantike që të rithekson se “demokracia, sundimi i ligjit, reforma e brendshme dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore janë thelbësore për bashkëpunim dhe stabilitet në rajon”. /Lajmi.net/

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *